"Hakerat" vepronin në bankomatë pa kamera dhe siguri të ulët
TIRANE - Hakerat e bankomatëve të arrestuar në operacionin "Matrix" kanë vepruar nëpër bankomatë, ku masat mbrojtëse ishin të ulëta apo nuk kontrolloheshin nga kamera. Burimeve pranë hetimit të çështjes pohojnë se, sipas kësaj, rezulton që të arrestuarit të kenë pasur njohuri të mira për funksionimin e bankomatëve dhe vendosjen e kamerave në to. Të njëjtat burime pohojnë se këto informacione mund të jenë siguruar nëpërmjet punonjësve ose ish-punonjësve të bankave, të cilët ishin pjesë përbërëse e grupit me 17 hakera. Duke analizuar veprimtarinë e hakerave, organi i akuzës ka dalë në përfundimin se pjesën më të madhe të goditjeve këta e kanë bërë në zona periferike të kryeqytetit dhe nëpër qendra tregtare, ku rreziku i filmimit nga kamerat është i vogël. Tashmë në qeli ndodhen 11 prej të arrestuarve të kësaj çështje, pasi Apeli i kryeqytetit zbuti masën e sigurisë vetëm për njërin prej të akuzuarve, i cili ofroi garanci pasurore gjatë gjykimit të masës së sigurisë në shkallë të parë. Gjykata e Tiranës pak ditë pas arrestimit të të pandehurve vendosi të lironte me kërkesë të Prokurorisë të akuzuarit Besfort Puka, Seid Mollaj, Fatmir Borshi, Klodian Terroli dhe Fatmir Kolmarku, kurse 12 të arrestuar të tjerë Endrit Gjergjani, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Enea Cela, Endri Mezurraj, Rei Karapici, Redi Cekani, Blerim Abazi, Flamur Gashi, Indrid Abazi dhe i mituri A.B., mbeten në "arrest me burg", deri në përfundim të hetimeve. Por Gjykata e Apelit që shqyrtoi tri javë më vonë kërkesat e të pandehurve për zbutje të masës së sigurisë, vendosi të lironte nga qelia të akuzuarin Mezuraj, duke vlerësuar se nuk ekzistonte rrezikshmëria e tij për të zhdukur provat apo dëmtuar hetimin. fa.ma.