Mediu: Ndërhyrjet në lumin Buna, të mirë menduara dhe me objektiv efektet ekonomike për banorët e zonës
Shqipëria dhe Mali i Zi, angazhim konkret për të parandaluar përmbytjet
Shqipëria dhe Mali i Zi organizohen konkretisht për të parandalur përsëritjen e situatës së një viti më parë ku zona e nën Shkodrës për disa ditë me radhë u mbulua nga uji. Në kuadër të këtij bashkëpunimi ministri i mjedisit Fatmir Mediu dhe homologu i tij malazez, Tarzan Milosheviç deklaruan gjatë një takimi në Mal të Zi, punimet për disiplinimin e lumit Buna duhet të jenë të mirë menduar dhe afatgjata. Investimet aktuale për përmirësimin e argjinaturës së këtij lumi, kapin një vlerë prej 10 milion dollarë. “Nuk duhet të nxitohemi me ndërhyrjet e shpejta, të cilat mund të kenë një rezultat afatshkurtër, por në të ardhmen mund të rezultojnë sërish të padobishme. Të gjitha ndërhyrjet, duhet të kenë si objektiv, efektet social – ekonomike për banorët e zonës, duke i evituar atyre tragjedi siç ndodhi me përmbytjen e vitit 2010” – deklaroi Mediu.
Ndërsa homologu malazez tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është më i fortë se kurrë. “Tashmë bashkëpunimi mes të dy vendeve është më i fortë se kurrë dhe mjaft intensiv. Ju përgëzojmë për të gjitha punimet që keni kryer në argjinaturat e lumit Buna, të cilat deri tani kapin një vlerë 10 milionë dollarë, pasi të gjitha këto vepra do të kenë efekt të menjëhershëm edhe në vendin tonë” – tha ministri malazez.
Gjatë kësaj vizite në Podgoricë ministri Mediu zhvilloi edhe një takim me ministrin e Turizmit dhe të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Predrag Sekuliç, ku në qendër të diskutimeve ishin sfidat e përbashkëta të dy vendeve, siç janë ndryshimet klimaterike, një cenim i përbashkët ndaj vijës tonë bregdetare, ndotja e liqenit të Shkodrës, si dhe përpjekjet për të zhvilluar turizmin në zonën e Bjeshkëve të Namuna.