E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pyetje e hershme për sot

20-11-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Aty nga  fundi i viteve ’90-të, të shekullit të kaluar, saktësisht më 1998, në Muzeun Historik Kombëtar, ambasada franceze pati hapur një ekspozitë fotografike, të teknologjisë më të fundit, e zbatuar në Francë. Më mbresëlënësja, që i tubonte dhe i mbërthente gjatë vizitorët e vendit të super izoluar, qe fotografia e stërmadhe e një lëndine plotë bar e lule. Nuk ishte  natyra që ua ngjallte kërshërinë, pasi lëndinat e Alpeve tona, në mos si ajo, ishin ku e ku më të bukura. Por, aty, mes lëndinës, qe ulur një grup vajzash e djemsh gazmorë, të veshur ndryshe nga të rinjtë tanë, me nga një telefon të vocërr e pa kurrfarë telash, duke biseduar me bashkëmoshatarë të tyre në skaje të humbura, ndërsa ne s’mund ta mendonin as te Sheshi Skënderbej. Për ata që shihnin fotografinë, kjo përveç shkuar çudisë, qe dhe ironi e hidhur: atë kohë, te Posta Shqiptare e kryeqytetit, m’u në qendër  të qendrës së Shqipërisë, njerëzit thirreshin me fortafolës, u përmendej emri dhe numri i kabinën telefonike, të futeshin për biseduar me njeriun që ishte lajmëruar me fletë thirrje, që më herët. Pse ta zgjatim rrëfimin: njëlloj siç tregohet në filmin “Rrugë të bardha”. Atëherë qe sajuar edhe kjo anekdotë: folësi nga Tirana, që e kishte më lehtë të lidhej me një shtet tjetër se me Lushnjën, i mërzitur nga vështirësia e kapjes së linjës, thoshte - “Amerikë, më lidh me Kavajën!”
Pas një dhjetëvjeçari, le të mos themi dy, telefonia jonë celulare është në majë, për të komunikuar, për të marrë shërbime të ndryshme, për fotografi, lojëra e llafazanëri. Sipas statistikave të huaja, jemi ndër vendet që flitet më shumë.
Një vit më vonë, se atëherë, saktësisht në nëntor 1999, rastisi të shkoja në Bullgari, marrëdhëniet me të cilën qenë të fundosura. Ajo ishte një hallkë e këputur në zinxhirin e prishjeve në seri, pas largimit të Shqipërisë nga Bashkimin Sovjetik, në fillim të viteve ’60-të. Ftuesit bullgarë patën organizuar vajtjen në qytetin e vogël Pravec, 70 km nga  Sofja. Kjo, ndoshta, për këto arsye: Pravec qe vendlindja e sekretarit të parë të partisë komuniste të Bullgarisë, Teodor Zhivkov. Për të përjetësuar kultin e tij, fshatin e lindjes ia kthyen në qytet dhe, qytetit i ndërtuan të parën dhe të vetmen fabrikë të prodhimit të kompjuterave. Atë kohë, në Shqipëri, qenë të paktë ata që ia dinin kompjuterit edhe emrin. Shqiptarët, duke mos pasur mundësi të udhëtonin askund përtej Rinasit, nuk kishin parë as kompjuter me sy, si edhe unë, përveç ndonjë fotografie apo informacioni  përmes lajmesh të kursyera.
Pas dy dhjetëveçarësh, Shqipëria është mbushur plot me kompjutera. Interneti ka mbërritur thuajse gjithkund. Vendi, me sloganin “Shqipëria  në moshën dixhitale”, ka shpallur synim për t’iu bashkuar më të zhvilluarve.
Tek vizitoja fabrikën bullgare të kompjuterave në Pravec (sa larg qenë me perëndimin!), nga ballafaqimi brenda vetes, i mosnjohjes dhe i kërshërisë, një inxhinieri që punonte i përqendruar në kompjuter, i pata bërë një pyetje, e cila më ka munduar edhe shumë vjet më pas. Por, tani, jo më. Asaj pyetjeje të hershme, që dukej naive nga mosnjohja e plotë dhe kërshëria e tepruar, i mbeti bashkëngjitur përgjigja e inxhinierit, edhe pse nuk qe specialist nga perëndimi shkëlqyes.
I patë thënë: “Për herë të parë shoh kompjuter. Më shpjego diçka të di”.
Ai tha ca gjëra bazë dhe e mbylli me këtë frazë: “Në kompjuter edhe mund të luash”.
Dhe, pasi klikoi, në ekran u shfaq një lojë e animuar.
Meqë përmendi lojën, e pyeta për lojën: “A luan ti në kompjuter?”
U përgjigj shkurt: “Ku kam kohë të luaj?! Edhe sikur të kem, kurrë nuk do të luaj!”
Ja, ky është problemi: pyetja që atëherë tingëllonte edhe naive, nëse prej saj nuk merrej edhe ana tjetër, keqpërdorimi i  kohës dhe i mundësive që jep kompjuteri, ajo tani mbetet pyetje problematike, për një shqetësim të madh, vetjak, familjar, shkollor, qytetar, zyrtar, të kohës së punës e të kohës së lirë. Sa fëmijë, sa adoleshentë, sa të rinj, por edhe sa njerëz të zyrave - po, po, të zyrave të rëndësishme - shpenzojnë aq orë duke luajtur në kompjuter! Ky është një tmerr - njerëz  të zyrave, kur s’kanë punë, nuk gjejnë interesa të tjera përtej lojërave, ndërsa fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë shpenzojnë aq orë për lojëra sa që, të përdorura për të mësuar, do t’i bënin ata nxënës e studentë të shkëlqyer, më pas specialistë konkurrues në tregun e dijes e të punës. Lojërat dhe llafazanëria kompjuterike është kthyer në një sëmundje me pasoja, të cilës, po të mos i gjendet antidoti, brezin e tashëm, të ballafaquar me realitetin, e bën si të jetë i ardhur prej tjetërkund. Shkrimtari i njohur italian, Umberto Eko, në një sprovë të shkurtër, këtë e cilëson “brez virtual”, që nuk njeh as lopën dhe që ka frikë prej lopës së gjallë.
Tani për tani, tek ne ka dy pamje:
Fëmijët dhe adoleshentët e viseve rurale, duke u marrë me punë të ndryshme dhe duke pasur infrastrukturë të kufizuar, kompjuterike e interneti, mbeten njohës të botës reale në përpjekje për t’u futur edhe në botën virtuale.
Fëmijët dhe adoleshentët e zonave urbane, me infrastrukturë të zhvilluar, kompjuterike e interneti, janë njohës të botës virtuale pa përpjekje për t’u futur në botën reale. Nuk ka zgjidhje  tjetër përveç domosdoshmërisë së ndërthurjes së tyre. Kjo është çështje e madhe, qysh sot, dhe për të gjithë. Sidomos familjet me fëmijë të vegjël dhe adoleshentë kanë ngecur në udhëkryq, e nuk dinë çfarë të bëjnë: as nuk i lënë dot pa kompjuter dhe internet në shtëpi, por as edhe nuk i drejtojnë e kontrollojnë dot të mos mbesin në lojëra e programe të papërshtatshme vetëm brenda shtëpisë. Sëmundja e lojërave kompjuterike ka përfshirë gati tërë brezin dhe koha e shpenzuar me to,  cenon rrezikshëm edukimin cilësor në fushën e dijes.
Ne, ndërsa jemi në rrugëtim me bumin kompjuterik dhe internetin, na duhet që, pas marrjes së teknologjisë prej të zhvilluarve, të kemi edhe përgjigjen e pyetjes prej të zhvilluarve, si e  përballojnë ata këtë shqetësim, tashmë i krijuar edhe në shoqërinë tonë? Janë dy çështje të njëkohëshme: bashkëjetesa e brezit të  sotëm me teknologjinë bashkëkohore, të mos zgjasë me pasojë të dyfishtë - brez i formuar cekët  dhe teknologji e përdorur kot. Na duhet e kundërta - domethënë jo pyetja, se ajo dihet, por përgjigja.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›