E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Ndikimi mjedisor i TAP - është shmangur dëmtimi i zonave të mbrojtura

21-03-2013 / Gazeta 55

Ministri i Mjedisit - ministri Mediu, takim me përfaqësuesit e kompanisë “British Petroleum” 


Projekti i gazsjellësit TAP është diskutuar tashmë me grupet e interesit, veçanërisht  me strukturat vendore, bizneset dhe shoqërinë civile, ndërkohë që ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka bërë kujdes që të shmanget dëmtimi i Zonave të Mbrojtura. Kjo u theksua dje nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me përfaqësuesit e kompanisë British Petroleum. Në qendër të takimit ishte diskutimi rreth projektit TAP dhe impaktit në mjedis që ai ka në Shqipëri. Kompania angleze, si një ndër kompanitë me një eksperiencë të gjatë në fushën e ndërtimit të linjave të transmetimit të gazit në botë dhe rajon e sheh me shumë rëndësi vlerësimin e thelluar të impaktit në mjedis që ka ky projekt. Nga eksperienca e vendeve të tjera, përfaqësuesit e BP u shprehën se një vlerësim në fazën para ndërtimit, duke  pasur disa alternativa, krijon mundësinë e përzgjedhjes së alternativës më të mirë nga pikëpamja mjedisore dhe ekonomike. Kompania angleze shprehu gatishmërinë e saj për të kontribuar dhe bashkëpunuar me Shqipërinë për këtë projekt, me qëllim që ai të përputhet me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Gjatë takimit, ministri Mediu informoi përfaqësuesit e BP se, Shqipëria e sheh projektin TAP si një ndër projektet më ambicioze në Shqipëri, ndërtimi i të cilit do të krijonte mundësinë që dhe Shqipëria të bëhet pjese e një projekti dhe një infrastrukture kaq të madhe për transmetimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë.  Në vlerësimin e ndikimit në mjedis janë respektuar gjithashtu kërkesat e konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë, veçanërisht konventa ESPO, për projektet që kanë ndikim ndërkufitar. Për këtë projekt, MMPAU po bashkëpunon dhe koordinon veprimtarinë e saj edhe me palën greke për shkëmbim informacioni, me qëllim shmangien e impaktteve negative ndërkufitare. Në përfundim palët ranë dakord që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen mbi bazën e grupeve teknike për çështje të ndryshme lidhur me këtë projekt.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›