"Pango", hetimet në vendnumëro
Abuzimi me detyrën i ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, është lënë në harresë nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë 60 ditëve që nga denoncimi publik i realizuar nga "Fiks Fare", ku Pango mundohej të rekrutonte në shtëpinë e tij një vajzë që kishte kërkuar punë në ministrinë që drejtonte, prokuroria po verifikon ende autenticitetin e përgjimeve. "Jemi në fazën e verifikimeve të autenticitetit të kasetave me përgjime të ish-ministrit Ylli Pango. Nëse rezultojnë origjinale, atëherë do të thërrasim në prokurori Pangon", thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore, duke shtuar se ende nuk është marrë një vendim për të vijuar hetimet. Por ajo çka mësohet nga burime jozyrtare është se hetimet janë neglizhuar, me qëllim mbarimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pas përfundimit të zgjedhjeve, akuza qendrore pritet të shpallë moskompetencën dhe dosjen ta depozitojë në Prokurorinë e Tiranës. Mësohet se Pango nuk është përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë dhe pas datës 28 qershor prokuroria do ta ketë të lehtë një hetim ndaj personit të tij, pasi nuk gëzon imunitet si dhe nuk do të kërkojë në Parlament heqjen e imunitetit. Duket se prokurorja Anila Leka i ka bërë mirë llogaritë për të hequr nga sirtarët e saj dosjen që u denoncua publikisht nga televizioni "Top Channel", ku dukej qartë se një funksionar i lartë i shtetit, duke shfrytëzuar detyrën, rekrutonte në shtëpinë e tij vajza që kërkonin punë.
Mësohet se hetuesit e çështjes vetëm kanë transkriptuar kasetat e regjistrimit të bisedës së Pangos me vajzat që kërkonin punë në ministrinë e tij. Fillimisht mësohet se akuza do të thërrasë vajzat që kanë "denoncuar" publikisht skandalin dhe kanë qenë në dijeni të bisedës së kryer nga Pango. Duke ditur se një përgjim pa lejen e gjykatës nuk mund të përdoret si provë, hetuesit po veprojnë me marrjen e dokumenteve dhe dëshmive nga Ministria e Kulturës që akuzojnë Pangon për veprimet seksuale. Krahas veprimeve seksuale të ministrit, organi i prokurorisë ka dyshime se ish-ministri Ylli Pango, duke shpërdoruar detyrën, ka influencuar që disa ministri të jepnin para për aktivitetin privat të tij. Regjistrimet e "Fiks Fare" ku ministri fliste me gazetaren për institutin dhe donacionet e ndryshme që merrte, kanë shërbyer për organin e akuzës si indicie për të filluar një investigim të thellë. Nga bisedat e regjistruara duket se Pango ishte drejtuesi i kësaj OJF-je, që sipas prokurorisë është gjykuar shkelje e ligjit për "Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike", të miratuar në prill të 2005 nga Kuvendi. Gjatë bisedës me vajzën, së cilës për vendin e punës ish-ministri Pango i kërkonte favore intime, është vënë re se deputeti me siglën e mbesës së tij, ka pohuar se ka përfituar projekte të ndryshme. Hetuesit dyshojnë se, duke shfrytëzuar postin e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Pango të ketë përfituar nga ministritë në vend dhe nga BE-ja, fonde të larta për projektet që organizata e tij i ka përgatitur. Fondet, sipas prokurorisë, dyshohet se janë siguruar falë ndërhyrjeve që vetë ish-ministri Pango ka pasur te këto institucione shtetërore apo të huaja, për vjeljen e donacioneve të ndryshme nga projektet që përgatiste instituti i tij.