E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet suplementare të ushtarakëve, 8 muaj peng në Gjykatën Kushtetuese

Pogaçe: Qeveria i bën presion gjykatës për moszbardhjen e vendimit

Që prej datës, 12 Nëntor të 2009-ës, më shumë se 11 mijë ushtarakë të cilët duhet të kishin përfituar pension të parakohshëm, në vlerën reale prej 200 mijë lekësh të vjetra, janë në pritje që prej 8 muajsh për dhënien e vendimit të pensioneve nga gjykata kushtetuese. Pensionet suplementare, janë llogaritur sa masa e një pensioni normal nga grupet e specialistëve

pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Vetë kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve ka sqaruar ditën e djeshme për gazetën, të gjitha hallkat që kanë çuar në ngërçin e zbardhjeve të pensioneve suplementare për ushtarakët në rezervë. Sipas kreut të shoqatës Pogaçe, ka më shumë se 8 ,muaj që çështja e pensioneve po zvarritet pa arsye, nga Gjykata Kushtetuese. Ka që nga seanca gjyqësore për shqyrtimin e ankesës nga shoqata e ushtarakëve e konkretisht më datë 12 Nëntori i vitit të kaluar, që vendimi për përfitimet e pensioneve suplementare zvarritet e vonohet pa shkak. Vendimi për ligjin 10.142 (Pensionet Suplementare të ushtarakëve në Rezervë) tha dje Pogaçe për gazetën SOT. Sipas tij ky veprim pra zgjatja pafundësisht e seancës gjyqësore që do të zbardhte edhe vendimin për pensionet suplementare, nga drejtuesit e shoqatës duket absurde pasi, ashtu siç dihet tashmë, disa prej gjyqtarëve që kanë votuar, këtë vendim janë zëvendësuar me të tjerë, madje pritet që të zëvendësohen edhe të tjerë. Realisht sipas Pogaçes ka një vendim, pozitiv i cili është shqyrtuar nga gjykata por çelja e këtij vendimi vonohet e zvarritet për arsye të tjera që kanë të bëjnë me instanca më të larta shtetërore. Sipas kreut të shoqatës së ushtarakëve, procesi i votimit ka përfunduar dhe vonesa e tij është një zgjatje pa kuptim. Kjo vonesë e paprecedentë e vendimit të pensioneve suplementare të krijon përshtypjen ose më saktë është ceditim, ose presion i bërë nga qeveria ndaj Gjykatës Kushtetuese për mos zbardhjen e vendimit për pensionet e ushtarakëve tha dje Pogaçe. Sipas tij nga vonesa e zbardhjes së vendimit për pensionet suplementare mijëra ushtarakë, policë, punonjës të gardës, kolonelë, punonjës të shërbimit informativ të cilët janë në pritje të parave që përfitojnë nga pensioni suplementar, janë duke mbajtur familjet e tyre me shumë vështirësi, pasi i vetmi pension ose përfitim që u akordohet nga shteti ju vonohet prej shumë kohësh. Pogaçe thekson gjithashtu faktin se të gjithë personat që janë në pension të parakohshëm, janë lënë në mëshirë të fatit vetëm për shkak të vonesës dhe ngërçit të krijuar nga moszbardhja e pensioneve suplementare.


Përfitimet
Pensioni i parakohshëm, ose pensioni suplementar, është llogaritur me vendim qeverie sa masa reale, e një pensioni minimal pleqërie i cili shkon në masën e 200 mijë lekëve të vjetra për çdo ushtarak në rezervë që përfiton me ligj, pension suplementar. Zakonisht këtë pension e përfitojnë të gjithë punonjësit ushtarakë, ish nënpunës në instancat e larta ushtarake, ku përfshihen kolonelët, gjeneralët, personat me status ushtarakë, që kanë punuar në gardë apo në institucione të tjera ushtarake. Çështja e pensioneve suplementare, ka disa vite që zvarritet duke bërë sjellë kështu edhe reagime të njëpasnjëshme që shoqata kombëtare e ushtarakëve ka ndërmarrë vazhdimisht. Kështu rreth dy vjet më parë duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për pensionet e ushtarakëve i cili sipas këtyre të fundit cenohej në mënyrë të drejtpërdrejtë statusi apo figura e secilit prej ushtarakëve në rezervë, ndër vite protestat e njëpasnjëshme ishin e vetmja zgjidhje për ta. Vetëm dy vjet më parë, janë organizuar rreth 7-9 protesta me ushtarakë nga i gjithë vendit që kundërshtonin vendimin e qeverisë për zgjatjen e moshës për daljen në pension të ushtarakëve, në rezervë e mos rritjen e vazhdueshme të pensioneve suplementare për ushtarakët të profesioni i të cilëve hyn në profesionet e vështira. Ushtarakët në rezervë, të cilët janë në pritje për përfitimin e pensioneve suplementare kanë disa vjet që nuk përfitojnë rritje reale të pensioneve të tyre dhe për më tepër kanë më shumë se tre vjet që nuk i kanë marrë ende përfitimet e akorduara me vendim qeverie të cilat kanë qenë në masa tejet të vogla duke u llogaritur nga 3-6 për qind ndërkohë që për të gjitha kategoritë e tjera, qeveria ka çelur rritje vit pas viti me përqindje të përcaktuara në masën 5-10 për qind sipas kategorive e profesioneve përkatëse.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›