E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: T’i jepet zgjidhje çështjes së pronave

TIRANË- Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi të lihen mënjane lojrat politike dhe elektorale dhe t’i jepet përfundimisht zgjidhje çështjes së pronave. “Ne republikanet e kemi pasur pjese të pandashme të qëndrimit tonë çështjen e pronës private, si një e drejtë legjitime, por edhe si një bazë nga duhet të fillojë zhvillimi ekonomik dhe identiteti kombëtar”, tha Mediu gjatë një tryeze me shoqatat e ish pronarëve si “Pronësi me drejtësi, “Shoqata e pronarëve të bregdetit”, etj.

Gjatë këtij takimi, drejtuesit e këtyre shoqatave shprehen shqetësimin e tyre në lidhje me ngërçet e njëpasnjshme që po krijon sistemi, duke bllokuar kthimin e pronave te i zoti. Duke e konsideruar PR-në si një prej aleatëve të përhershme të tyre, pronarët kërkuan me forcë të dëgjohet zëri i tyre, qofte në Parlament, por edhe në realizimin e një prej kushteve të kërkuara nga BE, zgjidhjen e çështjes së pronës, si mundësi e Shqipërisë për t’u integruar në familjen evropiane.

Mediu u shpreh i shqetësuar sa i përket situatës bllokuese që ka përfshirë çështjen e pronës private shqiptare, kryesisht problemet e kthimit të saj tek pronari. “Në një shoqëri demokratike, prona private dhe liria janë të pandashme. Heqja e të drejtës legjitime të pronësisë e bën pronarin skllav dhe i cënon atij një nga liritë themelore. Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e BE dhe sot ka si kusht përpara detyrimin e vendosur nga BE, zgjidhjen e çështjes së pronës private”, theksoi Mediu.

Ndërkohë, Mediu vuri theksin tek tendenca, sipas tij, për të legalizuar edhe ndërtimet e paligjshme, të bëra pas vitit 2006, duke e cilësuar këtë “një tjetër grabitje e madhe qe po u behet shqiptareve dhe kjo duhet ndaluar urgjentisht”.

Kreu republikan nënvizoi edhe kërkesat e hërepashershme drejtuar qeverisë dhe agjensive përkatëse për verifikimin e titujve të pronësisë për evidentimin e të gjitha abuzimeve të bëra me pronat. Ndërkohë, sipas tij, një tjetër pikë shqetësuese sa i përket çështjes së pronave, që tashmë është kthyer në anomali për zhvillimin e ekonomisë, është edhe miratimi nga qeveria i hartës së çmimit per tokat.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›