E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Zyrtarë të PD deshën të na dëmtojnë, por ka shumë për të parë në marrëdhëniet tonaNga TemaKryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte i ashpër dhe lëshoi kërcënime dje në një konferencë për shtyp ndaj të gjithë politikanëve të PD që ki

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mediu: Zyrtarë të PD deshën të na dëmtojnë, por ka shumë për të parë në marrëdhëniet tonaNga Tema

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte i ashpër dhe lëshoi kërcënime dje në një konferencë për shtyp ndaj të gjithë politikanëve të PD që kishin bërë thirrje kundër partisë së tij. Mediu tha se ka akoma shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet mes të dy partive. Mediu tha se me përjashtim të zotit Berisha, të tjerë politikanë të djathtë nuk kanë respektuar marrëveshjen mes dy partive, e cila ishte shumë e qartë. Mediu, ashtu si dhe Presidenti i Nderit i PR, Sabri Godo, kërkojnë të kenë një portofol ministri në këtë kabinet.

“Partia Republikane ishte e bindur në ndërtimin e një koalicioni të gjerë gjithëpërfshirës të së djathtës, sepse politika nuk është monopol i kurrkujt dhe nuk duhet të jetë përjashtuese.

Aleatja jonë kryesore ka qenë dhe mbetet Partia Demokratike, por që të mbetemi të tillë në marrëdhënie dhe qëllime të përbashkëta në interes të vendit, mendoj se ka shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet reciproke. Me përjashtim të zotit Berisha, ishin të paprecedent dhe të turpshme thirrjet publike të drejtuesve të PD, drejtuar elektoratit për të mos votuar Partinë Republikane apo thirrjet se vota për PR është votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Kjo jo vetëm ishte një gënjeshtër e madhe, por dhe mosrespektim i marrëveshjes, e cila kishte përcaktuar qartë detyrimet e secilës palë”, - tha Mediu. Por ai shtoi se këto thirrje kanë dëmtuar koalicionin dhe jo partinë e tij.

Mediu, që hyri në Kuvend falë sistemit, duke marrë vetëm 1.5 për qind të votave në kryeqytet, sulmoi ashpër dhe gazetarët që kishin deklaruar se ai nuk kishte elektorat, por vetëm vota Dushku.

“Ky dëm që iu bë Partisë Republikane dhe aleatëve të tjerë të koalicionit ishte sa i dëmshëm për to edhe për vetë rezultatin e koalicionit. Më duhet t’u kthej përgjigje atyre politikanëve dhe analistëve që akuzonin se kemi jetuar në politikë nëpërmjet Dushkut, se Partia Republikane, jo vetëm ka garantuar pjesëmarrjen në Kuvend nëpërmjet votës republikane, por edhe i ka dhënë Partisë Demokratike fitoren e rreth 4 deputetëve në qarqe të ndryshme dhe partitë e koalicionit së bashku i kanë dhënë më tepër. Ky Dushk i ligjit dhe këto vota të partive të vogla janë marrë nga partitë e mëdha.

Ne jemi në parlament dhe do të jemi edhe në të ardhmen, ndryshe nga shumë parti të tjera që janë jashtë parlamentit, sepse boshti ynë politik dhe programor; Familje, Pronë, Komb, jo vetëm i qëndron kohës, forcimit të së djathtës, por i shërben të ardhmes së vendit”, - tha Mediu.

Kryetari i PR tha se ata kanë pretendime për të marrë një mandat në Berat. Ai shtoi se Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar.

“Partia Republikane do të vazhdojë betejën e saj ligjore për të rimarrë edhe mandatin e qarkut të Beratit si detyrim karshi votuesve të këtij qyteti. Ky Kod ka nevojë për ndryshime, dhe ne do jemi pjesë e kërkesës dhe punës për ndryshimin e tij për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe përfaqësim të drejtë të vullnetit të popullit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë”, - tha Mediu.

Në përfundim ai ka vlerësuar koalicionin e ngritur mes PD dhe LSI.

“Partia Republikane vlerëson se koalicioni me LSI i shërben interesit të vendit, proceseve integruese. Prej kohësh ne si politikë kemi përcaktuar qëllime të përbashkëta, të cilat kanë pasur iniciativa të përbashkëta në favor të interesave kombëtare. Koha kërkon që ne të ngrihemi mbi dasitë tona politike dhe të punojmë për një qeveri stabël që i shërben interesave të vendit; kontributi politik dhe qeverisës i LSI së bashku me Aleancën e Ndryshimit është shumë i rëndësishëm.

Partia Republikane do të jetë pjesë në qeverisjen e ardhme, sipas kontributeve që ajo ka dhënë në Aleancën për Ndryshim, duke iu bashkuar zhvillimit të mëtejshëm të reformave dhe proceseve integruese të vendit”, - përfundoi kryetari i PR.

Mediu nuk komenton lënien e imunitetit për t’u hetuar më tej për Gërdecin

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që tani mund të vishet me imunitet sërish dhe do i shpëtojë gjykimit për shpërthimin tragjik të Gërdecit, nuk ka pranuar të sqarojë, nëse do pranojë të lërë sërish imunitetin për t’u hetuar. Ai është shprehur madje tepër i acaruar, kur është pyetur për këtë gjë. Një ditë më parë familjarët e viktimave të Gërdecit kërkuan që ai të gjykohej ose do kishte vetëgjyqësi.

Megjithatë, vetë kryetari i qeverisë dhe drejtuesi i partisë më të madhe të djathtë, Sali Berisha, ka bërë disa herë të qartë se hetimet për Gërdecin janë me ngjyrim politik duke lënë të hapur mundësinë për të mbrojtur Mediun përmes imunitetit. Gjykata e Lartë i ka shkuar pas këtij avazi duke e shtyrë disa herë gjyqin. Edhe pse anëtarë të saj janë me konflikt të hapur interesi ndaj kësaj çështjeje, ata nuk kanë pranuar që të japin dorëheqjen.

Topalli e pati quajtur PR parti mafiozësh

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ishte e para që artikuloi publikisht akuza direkte ndaj Partisë Republikane. Gjatë një takimi elektoral në zonën e Postribës në Shkodër, ajo tha se nuk duhet të shkonte asnjë votë për demokristianët dhe për republikanët, për shkak se ata janë mafiozë dhe spiunë.

Deklarata e saj shkaktoi irritim të fortë te republikanët, të cilët thanë se ai ishte një qëndrim personal.

Më vonë, në disa takime elektorale, ishte Sokol Olldashi që kërkoi që asnjë votë të mos shkonte për aleatët e Partisë Demokratike. Deklaratat e tij u bënë gjatë takimeve në zonën e Fierit.

Këto ishin deklarime publike të tyre, ndërsa mësohet se në takimet e mbyllura me struktura të partisë demokratët kanë udhëzuar gjithmonë që votat të mos shpërndaheshin ndër aleatë.

Berisha: Mund ta kem sërish Mediun në qeveri

Kryeministri, Sali Berisha, në daljen e tij publike, ku kërkoi koalicion qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, u kujdes shumë që të pyetej e të përgjigjej për Mediun dhe praninë e tij në koalicion. Para zgjedhjeve ai ka deklaruar se ishte i gatshëm të fuste Mediun në qeveri. “Zoti Mediu është udhëheqësi i asaj partie dhe ajo parti ka të drejtën e vet të plotë të përcaktojë cilin do të sjellë në qeveri, e para. E dyta, zoti Mediu, e kam thënë dhe do ta them prapë dhe do ta them gjithmonë, në procesin e anëtarësimit në NATO është një nga njerëzit me kontributin më të madh që unë njoh në këtë vend. E treta, në një akt përgjegjësie të plotë morale dha dorëheqjen, u akuzua në mënyrë politike nga ata që u leverdiste të përdornin Gërdecin për qëllime politike dhe morën turpin me akuzën që bënë. U spostuan në fakt ushtarakët. Ndaj edhe unë, zotin Mediu, pa e dënuar gjykata, e pranoj tërësisht të pafajshëm nga ana ligjore, nga ana morale ai ka dhënë dorëheqjen”, - kishte deklaruar Berisha përpara se vendi të hynte në zgjedhje.

Berisha tha gjithashtu se deklaratat e Topallit për Mediun kanë qenë një lapsus.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›