Mediu dhe Godo, vizitë në Durrës-Kukës
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, panë dje nga afër mrekullinë e rrugës kombëtare Durrës-Kukës, duke hyrë dhe në tunelin e Kalimashit. Z. Mediu u shpreh se kjo rrugë nuk është thjesht një infrastrukturë për zhvillim ekonomik, por një lidhje shpirtërore dhe kulturore e të gjithë shqiptarëve. Kreu i PR-së gjatë kësaj vizite tha: ''Gjej rastin të shpreh kënaqësinë, të falënderoj kompaninë që punon këtu, sepse kjo rrugë është një rrugë që bën krenar të gjithë shqiptarët, të gjithë ata që kanë punuar dhe ëndërruar një gjë të tillë, gjithë shqiptarët kudo që janë'', - duke shtuar: ''Kjo rrugë nuk është thjesht një infrastrukturë për zhvillim ekonomik, por një lidhje shpirtërore dhe kulturore e të gjithë shqiptarëve''. Po sipas të njëjtave burime, kryetari i PR-së, Mediu, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Gjakovës, Pal Lekaj. ''Unë jam i bindur se përherë e më shumë vende, - deklaroi Mediu, - do ta njohin pavarësinë e saj dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do t’i japë një shans akoma më të madh Shqipërisë për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më pranë se kaq dhe jam i bindur se bashkëpunimi dhe partneriteti ynë do të jetë përherë e më i madh”.