Topi: Ish-luftëtarët e UÇK-së, shembull vetëmohimi
Shembull i gjallë vetëmohimi dhe motivimi. Kështu i cilësoi dje Presidenti i Republikës ish-luftëtarët e UÇK-së. Kreu i shtetit priti dje në Pallatin e Brigadave një përfaqësi të përbërë nga ish-luftëtarë dhe drejtues të batalionit “Atlantiku”, formacionit ushtarak vullnetar shqiptaro-amerikan, që dhjetë vjet më parë u rendit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar për lirinë e Kosovës. Presidenti i Republikës vlerësoi ish-luftëtarët e UÇK-së në përgjithësi dhe në veçanti, anëtarët e batalionit “Atlantiku” për sakrificën e jashtëzakonshme dhe sublime që ata bënë, "për të cilën do të mbeten për gjithmonë në kujtesën e kombit shqiptar si një shembull i gjallë vetëmohimi dhe motivimi". Kreu i shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen dhe admirimin për këta përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, "të cilët me aktin e tyre historik e vullnetar ishin njëkohësisht edhe përfaqësues të përkrahjes dhe ndihmesës së madhe e të pashembullt të mikut dhe partnerit tonë më të madh e historik, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", duke vënë në dukje njëkohësisht se "ëndrra për një Kosovë të lirë e të pavarur u bë realitet në sajë të përpjekjeve të tyre të pashembullta dhe mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë". Ish-luftëtarët e batalionit “Atlantiku”, të cilët shoqëroheshin në këtë takim nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj, e uruan Presidentin Topi, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.