E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqet për pronat, zgjidhja, brenda pak ditësh



Praktika e deritanishme e gjyqeve të pafund për çështjet e pronësisë pritet të gjejë një zgjidhje më efikase. Përgjigjja ndodhet tek krijimi i Gjykatave Administrative, të cilat me ligj, do të ketë kompetencë të shqyrtojnë vendimet për çështjet e pronësisë. Gjykata Administrative, me ligj, është e detyruar që të japë një vendim brenda një kohe të shkurtër, jo më shumë se 20 ditë. Në kushtet kur në historinë 18-vjeçare të tranzicionit, gjyqet për çështjen e pronësisë kanë qenë një problem nga më të njohurit, ky projektligj pritet të zgjidhë diçka. Diskutimi për projektligji për Gjykatën Administrative vazhdoi dje në Komisionin e Ligjeve, duke u miratuar 12 nenet e para pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët kanë vendosur të braktisin çdo punë në Kuvend. Deputetët e shumicës miratuan nenet në bazë të propozimeve konsensuale me ekspertët e përbashkët. Projektligji parashikon që Gjykata Administrative të shqyrtojë çdo ankesë që ka si burim vendimet administrative. Kështu, çdo vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agjencisë së Legalizimeve, Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat kanë karakter administrativ, pra dhënie vendimesh, mund të ankimohet në gjykatë. Nga praktika, në rast se një qytetar nuk binte dakord me një vendim të AKKP-së, ai e hidhte në gjyq atë, ku në mjaft raste, çështja zgjaste me vite, edhe për një vendim procedural të thjeshtë. Kjo nuk do të ndodhë më, pasi në Gjykatën Administrative mund të bëhet ankimimi dhe brenda një kohe të shkurtër merr një vendim. Edhe në rast se nga ky vendim nuk mund të jesh i kënaqur, mund të ndjekësh rrugën normale gjyqësore, por e rëndësishme është që brenda pak ditësh merr një vendim të formës së prerë nga një gjykatë. Në Komisionin e Ligjeve pati një debat në lidhje me shqyrtimin e vendimeve të pronave. Republikani Arjan Madhi ngriti një shqetësim. “Po në rast unë jetoj në Konispol dhe AKKP-ja në Tiranë merr një vend mbi pronën time, sipas projektit unë duhet ta ndjek në Gjykatën Administrative të Tiranës? Kjo duhet të ndryshohet”, - tha Madhi, duke kërkuar që shqyrtimi i ankesave të bëhet në vendin ku banon ankimuesi. Ministri i Drejtësisë si dhe grupi i ekspertëve shpjeguan se kjo varet nga lloji i vendimit. Për shembull, në rast se një qytetar që jeton në një rreth të caktuar, nuk është i kënaqur më një shpronësim toke që i ka bërë shteti, do të duhet të ankimohet në Gjykatën Administrative të Tiranës, pasi vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave. Pavarësisht këtyre propozimeve, u vendos që qytetari në zonën ku banon, ndjek edhe çështjen. Projektligji në fjalë parashikon një sistem të përzier, zakonisht i praktikuar në vende të vogla të Evropës Lindore, nëpërmjet krijimit të Gjykatës Administrative të shkallës së parë (me qendër në Tiranë dhe seksione në rrethe gjyqësore), Gjykatës së Apelit administrativ si dhe Gjykatën e Lartë si shkallën më të lartë gjyqësore për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Organizimi specifik i seksioneve administrative në rrethe gjyqësore për sa i përket kompetencës tokësore dhe numrit të gjyqtarëve, do të përcaktohet me dekret të Presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›