PD, gati programi i ri elektoral 2009-2013
Partia në pushtet prej javësh po përgatit programin e ri elektoral, për një fitore të re katërvjeçare. Brenda dy javësh drafti do të jetë tërësisht gati për shpalosjen në Kuvendin e 9-të PD-së. Burime në PD bëjnë të ditur se ekspertët më të mirë të të gjitha fushave, por dhe ata ndërkombëtarë, janë thirrur nga lidershipi i partisë për të hartuar platformën e re elektorale. Përmes saj, PD-ja do t’u drejtohet shqiptarëve për një mandat të ri qeverisjeje 2009-2012. Aktualisht mësohet se janë përcaktuar më shumë se 150 pika si objektiva kyçe për qeverisjen e re të shqiptarëve nga PD-ja, ndërkohë që po përcaktohen detajet për secilin sektor. Demokratët synojnë një vijimësi të reformave të suksesshme të nisura gjatë këtij mandati që po lëmë pas, ku shtyllat kryesore pritet të jenë ato në sektorët jetikë të vendit dhe infrastrukturën e saj. Në këtë dokument po formatohen synimet themelore dhe reformat më të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Dy javë para se drafti të kopsitet, janë hedhur në letër disa objektiva të reja që prekin direkt jetesën e qytetarëve shqiptarë, si ajo për një tjetër rritje të madhe të pagave dhe pensioneve, ndërsa është në shqyrtim e sipër premtimi për barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Po ashtu, është projektuar edhe harta e përfundimit të infrastrukturës rrugore deri në skajin më të largët të Shqipërisë. Pikërisht, një rëndësi të veçantë merr zhvillimi i infrastrukturës në mbarë vendin apo natyra sociale, si punësimi dhe reduktimi i tij, strehimi, arsimi, shëndetësia etj. Janë këta sektorë mbi të cilën demokratët dhe ekspertët e zgjedhur prej tyre janë përqendruar më gjatë dhe brenda pak ditësh pritet t’i japin përcaktimet konkrete secilës fushë. Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se ekspertët bashkë me një staf zyrtarësh të PD-së kanë hedhur në letër reformat e reja institucionale, si konsolidimi i ri i sistemit demokratik dhe garantimi i të drejtave të njeriut, zbatimi i drejtë i ligjit, projekti i ri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kapitulli i shtetit dhe zyrtarëve të tij, të parët që zbatojnë ligjin, bashkëpunimi i ri me institucionet e pavarura, zhvillimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor, zhvillimi i tregut bankar si dhe kapitulli i reduktimit të ekonomisë informale. Gjithashtu, bëhet e ditur se në përpunim e sipër janë dhe të tjerë kapituj, si ai i politikave dhe administrimit total, prioritetet e zhvillimit dhe shpenzimet buxhetore, kujdesi për emigracionin apo siguria kombëtare, e cila tashmë është dhe më e sigurt për faktin se Shqipëria është pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjithsesi, sekretari organizativ i PD-së, z. Flamur Noka, konfirmoi dje se tashmë brenda dy javësh, programi i ri elektoral i PD-së do të jetë gati për t’u shpalosur para anëtarësisë së partisë dhe më pas para gjithë shqiptarëve. Kjo platformë e re synon përmirësimin e mëtejshëm të jetës së qytetarëve shqiptarë. Programi i ri elektoral do të shpaloset fillimisht në Kuvendin e ri të PD-së, i cili pritet të mblidhet në muajin maj për të marrë dhe miratimin e institucionit të demokratëve. Më pas, drafti elektoral do të jetë lajtmotivi i PD-së gjatë gjithë fushatës elektorale të muajit qershor, nga të cilat demokratët pretendojnë mandatin e ri katërvjeçar 2009-2013.