E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina, 10 milionë yuen grant për Shqipërinë



Qeveria kineze është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik dhe financiar për të përballuar efektet e krizës ekonomike botërore, duke përshpejtuar dhe projektet e saj me Shqipërinë. Akordimi i një granti prej 10 milion yuen për Shqipërinë do të përdoret në infrastrukturën e vendit që përfshijnë projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit etj. Kjo u bë dje e mundur në Pekin gjatë takimit të dy kryeministrave, atij shqiptar Sali Berisha dhe atij kinez Wen Jiabao, i cili theksoi vullnetin e madh të qeverisë së tij për përshpejtimin e programeve për të mbështetur projekte të ndërtimit të infrastrukturës, të teknologjisë së lartë, teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjitikës e në veçanti zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë. Wen Jiabao, siguroi se qeveria kineze është e gatshme t’i japë Shqipërisë kredi të buta për të realizuar këto projekte. Kryeministri kinez u shpreh se një delegacion ekspertësh nga Kina do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë për të diskutuar mbi projektet në fushën e bujqësisë dhe brenda vitit do të mblidhet në Pekin, komisioni i përbashkët i punës. Gjithashtu, Kina do të shqyrtojë kredi të buta për projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit etj., si dhe do t’i akordojë Shqipërisë një grant prej 10 milionë yuen. Në diskutimet që patën, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Jiabao u ndalën gjerësisht në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë çdo lehtësi për bizneset kineze që ato të investojnë në Shqipëri. Kryeministri shprehu kënaqësinë që gjatë vizitës në Parkun e Teknologjisë së Lartë të Shenzhenit, një ndër më të mëdhenjtë në botë, pati takime me drejtuesit e dy nga korporatat më të mëdha të këtij parku, ZTE dhe Huawey, të cilat tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe kanë vendosur ta bëjnë Shqipërinë qendrën rajonale të bizneseve të tyre. Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit Wen Jiabao mbështetjen e qeverisë së tij për të inkurajuar bizneset kineze që të investojnë në Shqipëri. “Shqipëria, - tha Kryeministri Berisha, - është një vend i sigurt, anëtare e NATO-s, çka e bën një vend shumë të sigurt për investitorët kineze. Shqipëria, - tha Kryeministri, - është një vend i vogël, por që ka potenciale shumë të mëdha. Vetëm në dhjetor-janar 2008-2009, ne kemi nënshkruar 3.5 miliardë euro kontrata për energjinë. Shqipëria ka potenciale të mëdha ujore, më shume se 400 HEC-e janë për t’u ndërtuar. Shqipëria ka potenciale të mëdha minerare në krom, bakër, nikel etj., si dhe potencial të madh investimesh në infrastrukturë, sepse qeveria po ndërton një infrastrukturë tërësisht të re”. Kryeministri theksoi se mes dy vendeve ka potenciale për të thelluar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera si bujqësia, shëndetësia, arsimi etj., si dhe shprehu gatishmërinë e tij për të inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve kulturore midis dy popujve tanë miq. “Nënshkrimi i marrëveshjeve në fushën kulturore dhe atë të shëndetësisë, - vlerësoi Kryeministri Berisha, - është një hap i rëndësishëm për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve”. Nga ana e tij, Kryeministri Wen Jiabao vlerësoi marrëdhëniet miqësore tradicionale midis Shqipërisë dhe Kinës, duke e cilësuar vizitën e Kryeministrit Berisha si shumë të rëndësishme.

Berisha, vizitë në Pallatin Perandorak të Kinës

Kryeministri Berisha vizitoi dje Pallatin Veror Perandorak, një nga rezidencat perandorake më të mëdha, më të bukurat dhe më me famë në botë. Ky pallat përfaqëson sot shembullin më të jashtëzakonshëm të artit tradicional kinez. Në vitin 1998, ai u klasifikua si një nga sitet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Pallati veror, në thelb, është një muze i kopshteve tradicionale kineze, një ndërthurje e bimëve, gurëve, ujërave, kalldrëmeve etj. Ai zë një sipërfaqe prej 726 000 metrash katrorë, tre të katërtat e të cilave janë ujë dhe përbëhet nga mbi 3 000 struktura, që përfshijnë pavijone, kulla, ura dhe korridore. I ndërtuar nën dinastinë Jin (1115-1234), në periudhën e mbretërimit të mëpasshëm të perandorëve, pallatit iu bënë zgjerime të mëtejshme. Gjatë dinastisë Qing, pallati u shndërrua në rezidencën verore për familjen dhe oborrin perandorak.

Irani, drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës

Irani shumë shpejt do të njohë Kosovën e pavarur. Një hap i tillë që pritet të ndërmerret në ditët e ardhshme, është konfirmuar për “Bota sot” nga vetë Presidenti i Iranit, z. Mahmud Ahmadinexhad, gjatë qëndrimit në Gjenevë, ku prezantoi në konferencën e OKB-së kundër racizmit, dhe shprehu kënaqësi për progresin e arritur në Kosovë si dhe për marrëdhëniet e mira me Tiranën zyrtare. Pyetjes se kur do ta njohë Irani pavarësinë e Kosovës, Presidenti Ahmadinexhad u përgjigj: “Sa i përket çështjes së Kosovës, ne i kemi përcjellë me mjaft përkushtim zhvillimet në rajon dhe mendoj se liria dhe progresi i arritur në rajon është meritë e popullit të Kosovës dhe gjithë atyre që i kontribuuan paqes dhe stabilitetit për t’u dhënë fund vuajtjeve të një populli, i cili ishte me vite të tëra viktimë e një regjimi të egër. Sipas tij, qeveria iraniane përshëndet progresin e arritur viteve të fundit në Kosovë dhe dëshiron që në rajon të mbretërojë paqja dhe stabiliteti, mbi të gjitha, në rajon të funksionojë shteti juridik. Çështjen e Kosovës ne e kemi parasysh edhe tash pas shpalljes së pavarësisë. Pra, Irani ditëve të ardhshme do të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës…”, - tha Ahmadinexhad. Pyetjes vijuese për marrëdhëniet mes Teheranit dhe Tiranës, Presidenti iranian, z. Mahmud Ahmadinexhad, për kombëtaren "Bota sot" është shprehur: “Irani ka marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›