E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu e Gjeneralet, prokuroria ngre padine per Gerdecin

11/02/2009  TIRANE- Shpërthimi i fuqishëm në punishten e çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec, ka bërë që Prokuroria e Përgjithsme të marrë 15 persona të pandehur, midis të cilëve mësohet se është edhe emri ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Burime pranë këtij organi thanë se përveç tre personave të arrestuar, në listën e të pandehurve janë emrat e tre ish- gjeneralëve të ushtrisë shqiptare Luan Hoxha, Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja. Por organi i akuzës qendrore nuk është mjaftuar me kaq pasi të pandehur ka marrë edhe dy ish-sekretarët e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët janë Ardian Mullai dhe Adriatik Mema. Mësohet se këta të dy janë marrë të pandehur për moskallëzim krimi, pasi nga marja e dëshmive të tyre gjatë procesit hetimor, organi i akuzë ka konstatuar se Mullai dhe Mema nuk kanë deklaruar të vërtetët në lidhje me takimet e Mediut dhe praktikat që janë ndjekur për përcaktimin e vendit, ku do të çmontoheshin municionet luftarake. Ndërkohë që burimet thanë se ish-Ministri i Mbrojtes Fatmir Mediu është marrë i pandehur për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Por i kontaktuar me telefon nga gazeta “Metropol” kryetari i Partisë Republikane është shprehur se në adresë të tij nuk ka mbërituar asnjë fletë-thirje, ku ti komunikohet akuza apo të pyetet në cilësinë e personit të pandehur. Ndër të tjera Mediu tha se çdo gjë mund të ndodhë, por nuk pranoi të konfirmojë nëse realisht është marrë i pandehur apo jo. Nga ana tjetër prokuroria shprehet e bindur se ish- ministri Mediu me veprimet dhe mosveprimet e tij për çëshjen Gërdeci, ka konsumuar elementët e shpërdorimit të detyrës. Mësohet se në listën e emrave që janë marrë të pandehur ndodhet edhe emri i Drejtorit të Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve Shkëlzen Madani, i cili është arrestuar pak kohë më parë nga njësia hetimore Task-Forcë, për abuzim financiar. Ish- zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani sipas Prokurorisë, është autori i një projekturdhri të propozuar në zyrën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me çmontimin e predhave në Gërdec nga firma e Mihal Delijorgji. Mësohet se i pandehur është marrë dhe ish- Drejtori i Logjistikës së ushtrisë shqiptare Dashnor Çaushi, i cili deri në datën 15 mars ka furnizuar me municione firmën “Alba demil” që ishte ngritur për këtë qëllim. Priet që në ditët në vazhdim të publikohen edhe emrat e tjerë të zyrtarëve që janë marrë të pandehur.

Të pandehur

Drejtori i MEICO Ylli Pinari, Drejori Teknik i fabrikës Dritan Minxolli, administratori Mihal Delijorgji, Fatmir Mediu ish- ministër i mbrojtjes, Luan Hoxha ish- shefi i shtabit të ushtrisë, gjeneralet Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja, Dy sekretarët e pergjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe Adriatik Mema. Drejtori i Menxhimit të Instalimeve Shkëlzen Madani si dhe Drejtori i Logjistikës së ushtrisë shqiptare Dashnor Çaushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›