E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret përfshijnë vendin, shtatë banesa të djegura

Shtohen frikshëm vatrat e zjarrit. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar gjashtë vatra në të gjithë vendin dhe për pasojë shtatë familje kanë mbetur të pastreha në Krujë dhe Qarkun e Kukësit, ndërkohë që janë rrezikuar seriozisht të digjen 28 banesa në fshatin Arishë të Rubikut. Po ashtu, disa dhjetëra hektarë pyje dhe kullota janë përpirë nga flakët dhe është dashur ndërhyrja e reparteve të zjarrfikëseve për të bllokuar përhapjen në territore më të mëdha. Ka qenë ora 10:32 e mëngjesit të djeshëm, kur katër banesa në fshatin Thumanë, rreth 12 km larg Fushë-Krujës janë përfshirë nga flakët. Zjarri i favorizuar nga era shkrumboi tërësisht banesat, me gjithë përpjekjet e forcave të zjarrfikëseve. Të njëjtin fat kanë pasur dhe dy familje në Qarkun e Kukësit. Kështu, në fshatin Ujmisht të Kukësit, mbrëmjen vonë të së dielës është djegur plotësisht një banesë dykatëshe, e cila ka lënë pa strehë 10 pjesëtarët e familjes së Besim Koldashit. Paraprakisht mendohet se shkaku i zjarrit ka qenë bari i thatë i depozituar në një nga mjediset e banesës. Ndërkohë, në të njëjtën ditë është shkrumbuar një banesë në fshatin Begaj të Tropojës. Burime të vendit të ngjarjes thanë se janë djegur katër dhoma të banesës, ku në momentin e zjarrit nuk kishte familjarë. Po kështu, dje një zjarr i fuqishëm ka djegur sipërfaqe të mëdha me pisha artificiale në fshatin Arishë, që ndodhet në periferi të qytetit të Rubikut. Mësohet se janë djegur totalisht 10 ha me pisha, ndërkohë që përhapja me shpejtësi e flakëve ka rrezikuar 28 banesa. Për normalizimin e situatës kanë punuar repartet e zjarrfikëseve nga Tirana, Burreli dhe Shkodra, si dhe forcat xheniere. Gjatë 24 orëve të fundit, edhe në Qarkun e Shkodrës u regjistruan dy vatra zjarri, përkatësisht në fshatrat Stajkë dhe Rrenc, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje prej 2ha me shkurre e të mbjella. Po dje, në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranë u përfshi nga flakët e zjarrit një banesë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Forcat zjarrfikëse, mbështetur nga forcat e rendit, bënë evakuimin e banorëve të zonës dhe më pas izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve të zjarrit. Flakët e zjarrit mësohet se kanë shkrumbuar thuajse të gjithë ndërtesën dykatëshe, duke shkaktuar për disa çaste panik te banorët e zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›