Mediu merr mbështetjen e SHBA-ve për NATO-n
Sekretari i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, zhvilloi një takim me ministrin shqiptar të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe ministrat e tjerë të “Adriatik 3” dhe i siguroi për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hyrë në NATO. Gjatë takimit me sekretarin Gates, ministri Mediu e njohu atë me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për marrjen e ftesës për anëtarësim. Gjithashtu, ministri Mediu u ndal në situatën në rajon menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës si dhe informoi mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionet ushtarake në Afganistan dhe Irak. “Shqipëria e cilëson anëtarësimin në NATO si mënyrën e vetme të forcimit të progresit dhe të demokracisë jo vetëm në Europën Juglindore, por edhe për komunitetin euroatlantik. Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave për anëtarësim në NATO, pasi koha për anëtarësimin e Shqipërisë tashmë ka ardhur. Roli i Shqipërisë në misionet ushtarake në Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe Irak ka konfirmuar profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura dhe rolin aktiv të Shqipërisë në sigurimin e paqes dhe të stabilitetit në pikat më të nxehta të globit”, - tha Mediu thatë takimit.
22 Shkurt 2008