OSBE-ja, letër Pangos: ”Fëmijët mund të abuzohen seksualisht nga turistët”
Erald Kapri
Një artikull i revistës së mirënjohur britanike “The Economist” ngacmoi shqiptarët pasi u vlerësua se Shqipëria është një vend ku shpenzohen rreth 17500 dollarë për turist dhe dyshohej se turistët në Shqipëri shpenzojnë për seks. Ndonëse “The Economist” nuk përmendte këtë fakt, por i mëshonte idesë se në Shqipëri shpenzohej shumë dhe po krijohet një turizëm elitë, disa dyshuan se këto shpenzime janë ekstra. Prezenca e OSBE-së i ka dërguar një letër ministrit të Turizmit, Ylli Pango, ku i kërkon një ndryshim të ligjit për turizmin pasi fëmijët dhe të miturit janë të ekspozuar nga shfrytëzimi seksual në turizëm. Departamenti për Mirëqenien dhe Çështjet e Ekonomisë dhe Mjedisit në OSBE ka kërkuar nga ministri Pango të reagojë dhe të hartojë ndryshimet e duhura ligjore në mënyrë që Kodi i Sjelljes për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual për Turizëm të zbatohet. Duket se nga ky shqetësim, ministri Pango ka reaguar menjëherë duke dërguar në Këshillin e Ministrave ndryshimet përkatëse ligjore.
Shqetësimi për fëmijët
Mundësia e ekspozimit të fëmijëve shqiptarë nga turistët për qëllime shfrytëzimi seksual mbetet e madhe, sipas OSBE-së. Në letrën e saj, Prezenca e OSBE-së ka kërkuar të zbatohet Kodi për Mbrojtjen e Fëmijëve. Departamenti për Mirëqenien dhe Çështjet e Ekonomisë dhe Mjedisit në OSBE e ka cilësuar si të domosdoshme dhe jetike që Ministria e Turizmit së bashku me Ministrinë e Brendshme të reagojë. “Do të doja të pohoja edhe një herë interesin e Prezencës për të vazhduar punën me Ministrinë tuaj, në vijim të bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme për zbatimin e Kodit të Sjelljes për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual në Turizëm, si edhe vizitës studentore të organizuar gjatë dhjetorit të 2007-s në Malin e Zi”, - thuhet në letrën e OSBE-së për ministrin Pango.
Letra
Në letrën e saj, Prezenca e OSBE-së, në fakt Departamenti për Mirëqënien dhe Çështjet e Ekonomisë dhe Mjedisit në këtë organizatë, i ka dërguar Ministrisë së Turizmit një koment mbi ndryshimet e reja në ligjin “Për turizmin”. Në këtë letër theksohet se OSBE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me ministrinë për të mbështetur ndryshimet ligjore në mënyrë që të mbështetet qeveria në forcimin e institucioneve demokratike dhe nxitjen e shtetit të së drejtës e mirëqeverisjes. Sipas OSBE-së, kjo kërkesë është në vijim të komenteve që Prezenca i dërgoi Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin gjatë diskutimit të ligjit “Për turizmin”, thuajse një vit më parë. Prezenca e OSBE-së ka deklaruar se dëshiron të shprehë interesin e saj për dhënien në vazhdim të ndihmës ligjore gjatë shqyrtimit të variantit përfundimtar të ligjit “Për turizmin” pas përfshirjes së sugjerimeve të Këshillit të Ministrave në dokument dhe më tej, kur projektligji të kalojë për diskutim në Komisionet Parlamentare. OSBE-ja shprehet në letrën e saj se mbetet e gatshme për çdo bashkëpunim në të ardhmen.
Publikimi te “The Economist”, Shqipëria fiton më shumë për çdo turist
Shqipëria fitoi më shumë nga turizmi me rreth 17500 dollarë për çdo të ardhur, sipas Organizatës Botërore të Turizmit, një organ i OKB-së. Këtë studim të Organizatës Botërore të Turizmit e publikoi revista prestigjioze britanike “The Economist”. Në fakt, nga 200 shtete në të gjithë botën mund të duket surprizë që vende si Moldavia, Libani dhe Bjellorusia fitojnë më shumë për turist se ishujt-parajsë që nuk kanë taksa fare. Kjo ndoshta është sepse vizitorët e zakonshëm në këto vende janë biznesmenët dhe në vende jomikpritëse nga ana infrastrukturore kostot janë më të larta. Në mënyrë të ngjashme, një vend i shtrenjtë kërkon shpenzime më të larta nga vizitorët. Gjithashtu shpenzohet më shumë në vendet e largëta dhe të mëdha, si Australia dhe India, ku turistët tentojnë të qëndrojnë më gjatë.
22 Shkurt 2008