E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu në Gjykatë të Lartë “Gërdeci”, dy padi penale për ish-ministrin e Mbrojtjes

Autori i Lajmit: Redaksia
Një dhjetëvjeçar, i cili humbi nënën e tij, Rajmonda, dhe pësoi dëmtime të rënda pas shpërthimit të 15 marsit në Gërdec, ka paditur dje në Gjykatë të Lartë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. I mituri bashkë me një tjetër të dëmtuar, Alketa Hazizaj, kanë dorëzuar padinë ndaj Mediut, duke e akuzuar atë për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”.

Padia

Të dëmtuarit janë paraqitur fillimisht në Gjykatën e Tiranës për të depozituar padinë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, por trupi gjykues, i kryesuar nga Ridvan Hado, ka rrëzuar kërkesën e dy të dëmtuarve, çka ka bërë që ata ti drejtohen brenda pak minutash Gjykatës së Lartë. Padia është administruar tashmë nga Gjykata dhe pritet të hidhet shorti për përcaktimin e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë kërkesën e tyre. Pak javë më parë, nëna e 7-vjeçarit Edison Durda, i cili humbi jetën bashkë me 25 të tjerë në tragjedinë e Gërdecit, për herë të parë iu drejtua Prokurores së Përgjithshme me padinë për Mediun, duke kërkuar heqje për herë të dytë të imunitetit të tij në Kuvend. Por kryeprokurorja Ina Rama nuk ka kryer asnjë veprim, ndërsa garanton se do të respektohet ligji për këtë çështje. Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë përfunduar kalimin në të gjitha gjykatat e të gjitha niveleve në vendin tonë lidhur me padrejtësinë që, sipas tyre, po u bëhet për herë të dytë për të afërmit që humbën jetën. Tashmë Gjykata e Lartë mbetet institucioni i vetëm që ka në dorë përgjigjen përfundimtare për një prej dosjeve më të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri.

Strasburg

Mbrojtësit ligjorë të 26 familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, thanë se do ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të ankimuar vendimet e Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë, ku bie në sy pushimi i çështjes penale ndaj Fatmir Mediut, ish- ministrit të Mbrojtjes, aktualisht i Mjedisit, ndarja e gjykimit me pjesën tjetër të të pandehurve; moslegjitimimi i tyre si palë në proces etj. Ky i fundit në këtë çështje ishte i akuzuar për "shpërdorim detyre" në rastin e demontimit të municioneve në punishten e Gërdecit, ngritur nga "Albademil". Sipas tyre, vendimi kanë qenë i parregullt dhe i pabazuar në ligj. Avokatët e familjarëve të viktimave kanë organizuar një tryezë këshillimore ligjore me grupet e interesit, të cilët konfirmuan se shumë shpejt do ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut me një ankesë ndaj vendimeve të Gjykatës së Lartë. Po kështu, ata pohuan se do ti drejtohen edhe prokurorisë së kryeqytetit me 26 kallëzime penale ndaj "arkitektëve" të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.

Shoqata e Familjarëve: “Hetoni shkaktarët e tragjedisë”

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit ka argumentuar ligjërisht padinë e depozituar në Gjykatën e Lartë. Përveç padisë ata i kërkojnë kreut të qeverisë të mbështesë hetimet për vënien para drejtësisë të shkaktarëve të shpërthimit. “Paraqitëm pranë Gjykatës së Lartë dy kërkesa për të nisur procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, në emër të të plagosurve nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Kërkesat e paraqitura janë në emër të Roxhers Durda (i mitur) dhe Alketa Hazizaj. Këto janë dy kërkesat e para që paraqiten pranë Gjykatës prej të plagosurve rëndë, ndërkohë që në ditët në vijim do të paraqiten kërkesat individuale nga të tjerë të plagosur. Avokati Dorian Matlija, që paraqiti pranë Gjykatës së Lartë kërkesat në emër të të plagosurve u shpreh për mediat: “Tragjedia e Gërdecit, përveç masakrës njerëzore që shkaktoi humbjen e jetës për 26 qytetarë, dhe përveç katastrofës pasurore që shkatërroi pronën e qindra shqiptarëve të tjerë, nuk duhet harruar që ka shkaktuar me dhjetëra plagosje të rënda, dhe qindra plagosje të lehta. Plagosjet përbëjnë vepër penale dhe, sipas legjislacionit procedural penal, nuk ndiqen nga prokuroria, por ndiqen me kërkesë të vetë të dëmtuarit. Ndaj ne vendosëm ti drejtohemi Gjykatës për të vënë në lëvizje. Është në të drejtën e të dëmtuarve të kërkojnë hetim dhe gjykim të çështjes dhe deklarimin e fajtorëve nga gjykata. Për këtë çështje të dëmtuarit i drejtojnë gishtin e akuzës deputetit Fatmir Ali Mediu, pasi ka qenë pikërisht urdhri i tij numër 550 datë 25.04.2007, që kurdisi minën me sahat që plasi në Gërdec dhe që krijoi terrenin për situatën kaotike që herët a vonë do të gjente fundin tragjik që gjeti. Jemi të ndërgjegjshëm që për këtë çështje do të duhet autorizimi i mëtejshëm i Kuvendit të Shqipërisë për ndjekje penale, por duke marrë shkas nga deklaratat politike të mazhorancës dhe në veçanti zotit Sali Berisha, që janë shprehur se do të pranojnë çdo kërkesë për heqje imuniteti, mbetemi me shpresën që nuk do të hasim pengesa, dhe vetë Kuvendi do të marrë pjesë në zbardhjen e kësaj çështjeje tragjike dhe në vënien e fajtorëve para përgjegjësisë”.

Kronologjia

13 shtator 2008

Kuvendi miraton me 101 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Më pas iu hap rrugë organit të akuzës të nisë hetimet në lidhje me ish-ministrin e Mbrojtjes.

13 mars 2009

Dosja hetimore për tragjedinë e Gërdecit është dorëzuar në Gjykatën e Lartë. Ashtu siç kishte deklaruar Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, dosja e përfunduar është dorëzuar për gjykim. Hetimet 12-mujore të shpërthimit tragjik në ish-repartin e tankeve në Gërdec janë mbyllur zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme.

22 maj 2009

Gjykata e Lartë caktoi seancën e parë gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kolegji penal vendosi ndarjen e procesit gjyqësor për 30 të pandehurit e çështjes “Gerdeci”. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmit Mediu, është i pandehuri i vetëm që do të gjykohet në Gjykatën e Lartë.

7 korrik 2009

Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediu, bllokojnë procesin për tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë, pasi nuk janë paraqitur në seancë. Ata kanë detyruar Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë që të shtyjë seancën e tretë gjyqësore në ngarkim të tij, duke irrituar familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët paralajmëruan për vetëgjyqësi.

13 shtator 2009

Kthehet në pikën zero procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai pritet të paraqitet sot në Gjykatën e Lartë me imunitetin e deputetit. Ky fakt i lë dy rrugë Kolegjit penal: ose të pushojë çështjen, ose ta pezullojë atë dhe të kërkojë nisjen nga e para të procedurave për heqjen e imunitetit. “Strategjia” e mbrojtjes nuk ka lejuar për katër muaj me radhë Gjykatën e Lartë të nisë procesin gjyqësor dhe për pasojë as Prokurorinë të njohë Kolegjin Penal me dosjen voluminoze të dorëzuar në gjykatë më 13 mars të këtij viti.

21 shtator 2009

Prokuroria e Përgjithshme nis përgatitjen e dosjes për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kërkesa për heqjen e imunitetit të ministrit aktual të Mjedisit do ti drejtohet Parlamentit menjëherë pas plotësimit ligjor të dosjes. Burime nga organi qendror i akuzës bënë të ditur dje se grupi i prokurorëve po shfrytëzon të gjitha hapësirat ligjore për të rikthyer edhe një herë gjykimin për Mediun, i akuzuar për shpërdorim detyre që çoi në tragjedinë e Gërdecit.

30 shtator 2009

Avokatët mbrojtës të ushtarakëve të pandehur në dosjen e tragjedisë së Gërdecit kërkojnë veçimin e çështjes nga të akuzuarit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli. Këta të fundit janë akuzuar për vrasje dhe shkatërrim prone. Kërkesa e mbrojtësve bazohet në faktin se klientëve të tyre nuk u provohet bashkëpunimi me të akuzuarit për vrasje dhe shkatërrim prone. Kjo kërkesë është bërë shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor më 7 tetor, ku do të jepet dhe vendimi në lidhje me ndarjen ose jo të dosjes.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›