Mediu në Ersekë: “Prioritet zhvillimi i arsimit në Shqipëri”
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi që zhvilloi në qytetin e Ersekës deklaroi se gjatë mandatit të dytë PR-ja dhe Aleanca për Ndryshim do të kenë prioritet zhvillimin e arsimit në Shqipëri. “Gjatë mandatit të dytë qeverisës një vëmendje të madhe do të marrë arsimimi dhe edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve. T’i japim një shans më të mirë për t’u arsimuar dhe edukuar. Investimet në arsim do vazhdojnë të jenë prioritet për ne, sepse si do të edukohen fëmijët tanë, do të jetë e ardhmja e Shqipërisë nesër”, - tha Mediu. “Investime të tjera do të bëhen në sektorët e shëndetësisë dhe ekonomisë, do të investohet sërish në infrastrukturë, për ta bërë Shqipërinë me standarde europiane, të tilla siç është rruga Durrës-Kukës. Do të vijojmë luftën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tashmë jemi në NATO dhe kjo nënkupton një arritje të madhe për shqiptarët dhe historinë e Shqipërisë. Por kjo nënkupton gjithashtu detyrime dhe përgjegjësi të reja. Shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin të lirë pa viza në hapësirën europiane. Rruga jonë drejt Bashkimit Europian është më e afërt se kurrë dhe ne do të punojmë pa lodhje, me përkushtim, seriozitet dhe vizion të qartë edhe në mandatin tonë të dytë”, - është shprehur Mediu.
Gazmend Oketa takohet me banorët e Durrësit: “Ne kemi luftuar korrupsionin”
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Gazmend Oketa, gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e këtij qyteti u shpreh se pavarësisht deklaratave të kundërshtarëve politikë, qeveria e PD-së ka luftuar korrupsionin gjatë katër viteve dhe ka rritur investimet publike. “Vazhdoni të besoni te Partia Demokratike ashtu siç i besuat asaj Shqipërinë në vitin 2005, sepse në këto 4 vjet qeverisja demokratike i është përkushtuar ndryshimit rrënjësor të vendit. Kabineti qeverisës e quan ‘sfidën e ndryshimit’ si një fat të mirë. Ka qenë një punë shumë e madhe pasi ky kabinet ka ndërmarrë reforma shumë të thella në Shqipëri. Edhe pse kundërshtarët tanë politikë deklarojnë se korrupsioni nuk është luftuar, fakti që buxheti i shtetit është dyfishuar, fakti që investimet janë shumëfishuar në infrastrukturë, shkolla, shëndetësi, bujqësi, tregon qartë se lufta kundër korrupsionit ka qenë efikase”, - është shprehur Oketa, i cili e ka cilësuar si arritje historike të qeverisë ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. “Kjo autostradë, pa dyshim, nuk është thjesht vetëm një rrugë që lidh Shqipërinë me Kosovën, që i sjell turizmit në Durrës shumë përfitime, por do të sjellë dhe rreth 60 milionë euro të ardhura në vit”, - është shprehur Oketa.
11 Qershor 2009