E Diel, 1 Nëntor 2026

Militantët “shëtitës” paguhen me tollona nafte dhe me 500 lekësha

Një grup militantësh ndjekin krerët e partive në çdo takim. Prania e tyre në fushatë është kthyer në një punë të mirëfilltë

Eljona Ballhysa
Sheshet e qyteteve të Shqipërisë këto ditë të nxehta politike janë mbushur me njerëz nga më të ndryshmit në takimet elektorale të liderëve të politikës shqiptare. Disa janë banorë të qytetit ku zhvillohet takimi, të tjerë nëpunës të administratës publike që janë detyruar të zbresin në shesh dhe një pjesë janë të ardhur me furgonë apo autobusë. Kjo turmë militantësh “shëtitës” është pothuajse e njëjtë në çdo miting në çdo shesh të Shqipërisë. Sigurisht që përveç bindjes politike tashmë pjesëmarrja në aktivitetet politike është kthyer në një alternativë punësimi. Këta militantë paguhen nga politikanët që t’u rrinë pas dhe jo vetëm të mbushin sheshet e qyteteve shqiptare, por edhe të rrisin entuziazmin, të brohorasin dhe të valëvisin flamujt me logon e partisë për të cilën bëjnë fushatë.
Grupet
Burimet bëjnë të ditur se edhe grupet e militantëve janë të ndarë dhe pagesa e tyre bëhet nga pesha e punës që bëjnë. Një pjesë e militantëve janë ata që gjejnë mjetet lëvizëse, furgonët apo autobusët. Sigurisht shoferëve u paguhet jo vetëm nafta, por marrin dhe një dietë në para për udhëtimin. Ndërsa një pjesë e militantëve zgjedhin të udhëtojnë me mjetet e tyre private dhe përfitojnë tollona për të marrë naftën falas nga partia. Një pjesë tjetër e grupit të mbështetësve të partisë merret me menaxhimin e imazhit të partisë, duke sjellë sa më shumë të rinj për të mbajtur pankartat me sloganin e partisë, apo për të valëvitur flamujt duke brohoritur në kor. Sipas burimeve ky grup paguhet nga 500 deri në 1000 lekë të rinj për çdo aktivitet.
Por ka dhe nga ata persona që premtojnë të sjellin sa më shumë njerëz në shesh dhe synimi i tyre është që të krijojnë imazhin që partia gëzon një mbështetje të madhe. Sigurisht që edhe këta persona pretendojnë të marrin një përfitim nga partia. Ata shpresojnë që partia që ata mbështesin të fitojë zgjedhjet në mënyrë që të përfitojnë një vend pune në administratë. Kjo mënyrë organizimi dhe pagese është më e përhapur në partitë e mëdha, të cilat kanë dhe fondet më të mëdha. Ndërsa të vegjlit funksionojnë pak më ndryshe dhe sigurisht që edhe masa e pagesës është më simbolike.
Të vegjlit
Takimet e partive të vogla janë edhe më simbolike. Në shumicën e rasteve ata zhvillohen në kafene me një rreth më të ngushtë mbështetësish. Sigurisht që edhe në këtë rast funksionon sistemi i përfitimit. Krerët e këtyre partive duhet të paguajnë kafenetë për të gjithë personat e pranishëm në takim. Ata mundohen të bëjnë premtime më konkrete se liderët e dy partive të mëdha. Në vend të programeve teorike elektorale, premtimet e të vegjëlve janë më të thjeshta, si garantimi i një vendi pune në rast fitoreje.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›