E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu në Laç: Prona tu kthehet pronarëve sa më shpejt

Kthimi dhe kompensimi i pronës private pronarëve të saj të ligjshëm, një pikë kjo rëndësishme në programin e Partisë Republikane, ishte në qendër të fjalës së kryetarit të kësaj partie, Fatmir Mediu, mbajtur në një takim me mbështetësit e kësaj partie në Laç. Duke analizuar punën katër-vjeçare të mazhorancës aktuale, Mediu, theksoi se zgjidhja me sukses e kësaj çështjeje është thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit. Prona private duhet zgjidhur në mënyrë urgjente duke i kthyer pronarit të ligjshëm pronën që i takon. Dhe kjo duhet bërë duke aprovuar ligjin për tokat dhe fermat bujqësore, që janë mbi 100 mije ha, të cilat duhet të jenë si fond për tua kthyer e kompensuar pronarëve të ligjshëm fizikisht. Marrjen e të gjitha pronave shtetërore, të cilat janë jo efikase dhe mbahen pa të drejtë nga shteti dhe kthimi i tyre pronarëve të ligjshëm. Pyjet dhe kullotat po ashtu. Nuk mund të kemi një ligj pa faturë financiare. Kthimi dhe kompensimi i pronës private është një akt që duhet kryer sa më shpejt, veçoi ai. Mediu theksoi se kthimi dhe kompensimi i pronës private është një akt që duhet kryer sa më shpejt, duke shtuar në këtë drejtim se Partia Republikane dhe vizioni i saj janë pjesë e një të ardhme premtuese, me projekte të realizuara dhe reforma të suksesshme, pjesë e një realiteti të prekshëm nga të gjithë, duke qenë partnerë të qëllimeve të mëdha. I shoqëruar nga anëtarë të kryesisë së kësaj partie, kreu i republikanëve cilësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte fryt i reformave të kësaj mazhorance, të cilat sipas tij, do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe në mandatin e dytë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›