E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama do të ndëshkohet nga vota e shqiptarëve, për skandalet e tij

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka vijuar akuzat e saj ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Në ndalesën e saj në qytetin e Pogradecit, kryeparlamentarja Topalli ka akuzuar Ramën si manipulues i lejeve të ndërtimit. Sipas saj, kryetar i bashkisë së Tiranës, abuzues me lejet e ndërtimit në kryeqytet, të cilat i ka kthyer në mjet fitimi për të dhe njerëzit e tij, do të ndëshkohet për të gjitha këto skandale nga vota e shqiptarëve. Madje akuza ka shkuar më tej duke e akuzuar kryebashkiakun si njeriun që kërkon regresin e Shqipërisë dhe që do të vulosë humbjen e tij dhe të opozitës më 28 qershor dhe duke shprehur besimin se dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë, në të cilën shqiptarët do të jenë të qeshur e të gëzuar, me përjashtim, të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe klanit të betonierëve që nuk ndihen mirë në një Shqipëri që po ndryshon. Unë besoj se mandati i dytë qeverisës do të jetë mandati i një Shqipërie moderne, që do të vazhdojë të ngjitet, të rritet, të lëvizë më shpejt drejt integrimit, i një Shqipërie që do ti japë mundësinë çdo burri, çdo gruaje, çdo studenti e të riu, çdo shqiptari të lëvizë lirisht në Europë pa viza, veçoi kryetarja e Kuvendit. Gjatë fjalës së saj, Topalli solli në vëmendje edhe arritjet e qeverisë në këto 4 vite, duke përmendur rritjen e rrogave, pensioneve, dyfishimin e buxhetit për arsimin dhe investimet e tjera të qeverisë demokratike, që sipas saj do të pësojnë rritje të mëtejshme në mandatin e dytë qeverisës. Numri një i parlamentarizmit në vend, Jozefina Topalli gjatë takimit të saj të organizuar buzë liqenit të Ohrit, me gra dhe vajza të qytetit turistik, është shoqëruar nga prefektja e Korçës Elfrida Zefi si dhe aktorja Rajmonda Bulku. Në fjalën e saj, Topalli ka dhënë mesazhin e paqes dhe dashurisë si një nënë, ndërsa e ka cilësuar si suksesin më të madh të qeverisë, ku ajo bën pjesë anëtarësimin në NATO. Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi Pogradecin për kulturën dhe personalitetet artistike që ai ka nxjerrë. Jam këtu për një homazh edhe ndaj poetit tuaj Lasgush Poradeci, princit të këngëve të dashurisë, kalorësit  të elegancës poetike, për të cilin së bashku me ju jam krenare, veçoi ajo. Pasi theksoi idenë e bashkimit drejt integrimit ajo ftoi çdo socialist të thjeshtë dhe të ndershëm që është idealist, të bashkohet me Shqipërinë që po ndryshon, dhe që do të jetë së shpejti anëtare e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›