E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipërija dhe Fuqitë e Mëdha*

 

“Duke mos qenë kurrë mosmirënjohës dhe duke e konsideruar mosmirënjohjen si të metën më të madhe morale, në fillim do të themi se mirënjohja jonë është e thellë dhe e përjetshme për të gjitha Fuqitë e Mëdha dhe në veçanti për ato që kanë ndihmuar në njohjen e Shqipërisë, që kanë përkrahur të drejtat e saj si komb dhe shtet. Por, nëse morali ynë shqiptar, na e detyron këtë mirënjohje dhe nuk na lejon që të themi as gjysmë fjale fyese në drejtim të ndonjë fuqije, detyra jonë e historianit, është, nga ana tjetër, që të bëjmë një pasqyrim sa më të saktë dhe sa më të paanshëm të kushteve në të cilat u ndodh në zanafillë shteti ynë. Për më tepër , si mund ta mbulojmë dhe ta fshehim të vërtetën në një kohë kur tani asgjë nuk mund të mbahet në errësirë, kur protokollet e konferencës së Londrës, si dhe artikuj të panumërt gazetash zyrtare ose gjysmë zyrtare janë aty, për të dëshmuar përpara gjithë botës të vërtetën lakuriq? Nuk është sekrete për askënd, se dy grupe të mëdha, që sot janë në armiqësi, e kanë bërë përleshjen e tyre të parë gjatë Konferencës së Londrës. E ç’ka të habitshme, që gjatë gjithë diskutimeve Rusia dhe Franca u treguan tepër keqdashëse ndaj Shqipërisë, vetëm për t’u ngrënë me Austrinë, Italinë dhe Gjermaninë, të përkrahnin njohjen e kësaj Shqipërije?

Është vallë mosmirënjohëse të thuash se Franca dhe Rusia kanë qenë kundër njohjes dhe krijimit të Shqipërisë sonë dhe se i kanë vënë firmat e tyre pa zemër? Është vallë një mungesë mirënjohjeje që të thuash se Italia dhe Austria kishin nisur të mos interesoheshin për Shqipërinë, për ta parë atë vetëm si një fushë dhe një pretekst intrigash dhe rivaliteti? Është vallë një mungesë karakteri të thuash se qeveritë ruse dhe franceze kanë bashkëpunuar me Greqinë dhe kanë intriguar me të, për të krijuar këtë komedi të quajtur epiriote, që ta dobësojnë dhe ta vdesin Shqipërinë dhe se ato nuk kanë bërë lëshime vetëm e vetëm që më vonë t’i vënë litarin në fyt? Është vallë mëkat të thuash se rivaliteti austro-italian ka marrë një formë tepër të mprehtë për shkak të incidentit me Esad Toptanin? Gazetat zyrtare “Tribuna”, “Fremenblatt”, “Corriere della sera”, “Neue Freie Presse” dhe shumë të tjera, a nuk pasqyrojnë vallë akuzat me të cilat janë ndeshur autoritetet italiane me ato autro-hungareze?

Për më tepër të shkruash historinë nuk do të thotë aspak të qortosh. A nuk thonë vetë diplomatët, burrat e shtetit, politikanët, se në politikë nuk ka as moral, as imoralitet? A nuk na mësojnë ata se ajo që është e dëmshme dhe e pandershme tek një njeri i thjeshtë, nuk është në politikë, kur është fjala për marrëdhëniet e një shteti?”

*Marrë nga “L’indipendance Albanaise”, 1915

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›