E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajisja e biznesit me kasat fiskale, pse dështoi

Autori i Lajmit: red.
Projekti i Financave

Afati për instalimin e kasave fiskale për biznesin e madh ka skaduar, prej 31 majit të këtij viti. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga afti përfundimtar, biznesi VIP, i ka refuzuar pajisjet elektronike, duke e dështuar kështu ligjin e Ministrisë së Financave. Ndërsa, biznesi i mesëm dhe i vogël duhet ta përfundojë procesin në qershorin e 2010-ës. Por, edhe këta të fundit shprehen skeptikë për realizimin e procesit.
Në asnjë pikë karburanti, apo biznes tjetër VIP, nuk gjen instalimin e kësaj pajisjeje. Tregtarët tregojnë se deri tani, tatimorët nuk kanë bërë ndonjë kontroll për këtë çështje. Kështu, biznesi ka neglizhuar vendosjen e kasave, edhe pse më parë ministria e Financave parashikoi penalizime, deri në 100 mijë lekë për shkelësit e ligjit.
Në teori, pajisjet fiskale janë mjeti i duhur për të kontrolluar biznesin mbi xhiron reale që kryen gjatë gjithë vitit kalendarik. Ligji para shikon që pajisja të jetë e lidhur online me degët përkatëse tatimore, për të verifikuar në çdo kohë situatën financiare të subjektit, pa cenuar “informacionin sekret”. Memoria e kasës fiskale është e mjaftueshme për të mbajtur të paktën mbi 1000 fatura, ndërsa ndërhyrja në të bëhet nga punonjësi i shoqërisë përgjegjëse për pajisjen, me autorizimin e inspektorit tatimor të zonës, ku kryhet aktiviteti. Ndërsa, biznesi duket se është skeptik edhe përsa i përket seriozitetit të këtij projekti. Ata kërkojë garanci, që ky proces të jetë i fundit, dhe të mos ndodhë si më parë, ku kasat u paguan shumë herë, por nuk u përdorën asnjëherë.
“Lista e zezë”
Një pikë e debatuar fort është e ashtuquajtura lista e zezë. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, lista e zezë përmban të dhënat mbi automjetet që kanë kryer shkelje ligjore të qarkullimit rrugor. Brenda saj janë të vendosur emrat dhe targat e individëve që kanë probleme me shtetin, të kërkuar nga policia dhe me detyrime të papaguara tatimore e doganore. Sipas skemës, nëse automjeti është në listën e zezë, njësia e ndërfaqes i dërgon komandën regjistruesit elektronik fiskal: "Ndalohet furnizimi me karburant". Në këtë rast, shkruhet mesazhi në ekranin e regjistruesit elektronik fiskal "automjeti është në listën e zezë". Kjo nuk pranohet nga biznesmenët, të cilët e konsiderojnë punë jo të tyren identifikimin e debitorëve ndaj shtetit.
VKM-ja
Në vendimin nr.781, datë 14.11.2007, të Këshillit të Ministrave përcaktohet qartë, ku nënpika 2.3 thotë: Sistemi i komunikimit, ndërmjet tatimpaguesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bëhet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Sistemi i komunikimit, ndërmjet shoqërive të regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duhet të realizohet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Shoqëritë e regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj, të cilat përdorin pajisje, sipas kërkesave të këtij vendimi, duhet të sigurojnë transmetimin e të dhënave të xhiros së pajisjes fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në formë elektronike, në mënyrë të detyrueshme, nëpërmjet sistemit GPRS ose me ndonjë formë tjetër transmetimi, duke e marrë këtë shërbim nga shoqëritë në treg, që ofrojnë një shërbim të tillë, brenda datës 30 prill 2009. Transmetimi i të dhënave mujore të xhiros në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet brenda datës 10, të muajit pasardhës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hyn në marrëveshje kontraktuale bashkëpunimi me operatorët e telefonisë celulare, për sigurimin e shërbimit sipas kësaj skeme.” Rregullat dhe procedurat e instalimit dhe të përdorimit të pajisjeve fiskale janë njëlloj të zbatueshme si për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për tatimpaguesit e biznesit të vogël.”

Kategoria që përjashtohet
Procedura që duhet të ndjekë biznesi

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton qartë se: Personat, juridikë dhe fizikë, që do të mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik, janë të detyruar të mbajnë regjistrimet, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, sipas kalendarit të mëposhtëm:

a) Brenda periudhës nëntor 2008- maj 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale e Tiranës.

b) Brenda periudhës janar-dhjetor 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimpagues të tatimit mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore.

c) Brenda periudhës qershor 2010, personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë, edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil.

ç) Brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë, të biznesit të vogël.

Nuk janë të detyruar të përdorin regjistruesin elektronik fiskal, sipas kërkesave të këtij vendimi, profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit, të përcaktuara në aneksin nr.5, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”.

Sistemi fiskal
Vodafone, fituese e tenderit për implementimin e rrjetit GPRS

Më 18 qershor 2009 shoqëritë e autorizuara nga Ministria e Financave për shpërndarjen e pajisjeve fiskale A.E.Distribution Sh.p.k., BNT Electronic Shpk., I.V.A. Electronik Shpk., CKV Noki Shpk., Rilindja Shpk dhe PKP Sh.p.k njoftuan rezultatin përfundimtar të tenderit të zhvilluar për përzgjedhjen e operatorit të rrjetit të komunikimeve publike, për zbatimin e projektit për transmetimin e raporteve periodike fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Pas shqyrtimit të ofertave të paraqitura nga të tre operatorët e rrjetit te komunikimeve publike pjesëmarrëse AMC sh.a, Eagle Mobile Sh.A dhe Vodafone Albania Sh.A, oferta më e mire u përzgjodh ajo e shoqerise Vodafone Albania Sh.a. Shoqëria Vodafone Albania sh.a. si fituese e këtij tenderi, do të ofrojë shërbimin APN (Açess Point Name), për përdorimin e rrjetit GPRS nëpërmjet Shoqërive të Autorizuara dhe do të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për mundësimin e lidhjes së drejtpërdrejtë me rrjetin e brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ky lajm është publikuar: 07/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›