E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i INSIG, amerikanët kërkojnë ulje çmimi, ndërsa BERZH shet aksionet

Nga Fitim Zekthi

Kompania INSIG, e cila pak muaj më parë u cilësua si e privatizuar, është duke u ndeshur tashmë me vështirësi të mëdha, por edhe me paqartësi të tilla. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila është pronare e një pakete të madhe aksionesh, 39%, ia ka shitur këto aksione qeverisë shqiptare. BERZH dhe korporata financiare e Bankës Botërore, IFC, ia kanë shitur aksionet e tyre shtetit shqiptar në dhjetor të viti që shkoi. Një kompani amerikane, American Reserve Insurance, u shpall fituese e tenderit për privatizimin e INSIG, domethënë e pjesës së aksioneve që kishte shteti shqiptar prej 61%. Ende edhe tani kjo kompani nuk ka përfunduar negociatat dhe kërkon që të ulet çmimi i rënë dakord në tender për të blerë INSIG. Privatizimi i kompanisë INSIG ka kaluar nëpër një rrugë të habitshme prej disa vitesh. Kjo kompani është futur në privatizim vite më parë e më pas ka dalë përsëri nga privatizimi. Kompania ka ardhur duke e ulur peshën e saj në treg në mënyrë të thekshme, derisa tani ajo ka vetëm 8% të tregut të sigurimeve në vend. Shitja e INSIG te kompania amerikane, American Reserve Insurance, ose tentativat për ta shitur atë te kjo kompani po ndjekin një rrugë të shkelur më parë në disa privatizime të tjera. Kjo ka të bëjë me ndryshimin e kritereve të privatizimit, pasi tenderi bëhet. Kompania ARMO në mënyrë të tillë përfitoi të drejtën për shitur e vetme naftë D2 në tregun shqiptar. Tenderi kishte përfunduar dhe asaj iu dha ky favor. Kriteret e privatizimit janë ndryshuar disa herë edhe në rastin e privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë, OSSH, ndonëse kjo ka ndodhur më së shumti për shkak të pamundësive për të zhvilluar tender, pasi disa kompani u tërhoqën. Në rastin e INSIG, i cili vepron në një treg mjaft tërheqës, ku vetëm këtë vit sigurimet vullnetare janë rritur me 73%, është e paqartë se përse kërkohen favore të tilla. INSIG është në vështirësi të mëdha dhe atë në këtë gjendje e kanë çuar me dëshirë që të vlejë sa më pak, por tregu është i fuqishëm dhe rritet nga viti në vit. INSIG humbet nga viti në vit në shkallë progresive, derisa ka përfunduar në vetëm 8% të tregut. Nëse 61% e aksioneve, për të cilat vazhdojnë bisedimet me kompaninë amerikane, i shiten asaj, INSIG është para një problemi tjetër. Nuk dihet se ç’do të ndodhë me aksionet që i ka shitur BERZH qeverisë ose rishitur më saktë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›