Mësuesit: Jemi bërë sekretarë për mungesat e nxënësve
zirina llambro
Sekretarë për mungesat e nxënësve. Ky është roli që kanë marrë mësuesit kujdestarë në gjimnaze. Pas më shumë se dy vjetësh, prej urdhrit të Ministrisë së Arsimit, për të lajmëruar me mesazhe apo telefon prindërit e nxënësve që braktisin mësimin, duket se tashmë janë lodhur. Ky urdhër sipas tyre nuk ka pasur asnjë mbështetje materiale. “Shpesh telefonatat janë bërë nga zyra e drejtorit të shkollës dhe shumë herë të tjera për nxënës problematikë nga numri privat i celularit. Përveç të gjitha detyrave të tjera, edhe kjo është një përgjegjësi për të cilën ne na kërkohet llogari”, tregon një prej mësueseve kujdestare në gjimnazin e gjuhëve të huaja. Ajo shton se u duhet të lajmërojnë dhjetëra prindër çdo ditë, për t’i vënë në dijeni për prezencën e nxënësve. E njëjtë situatë është edhe në gjimnazet e tjera të Tiranës. “Është si rregull që për çdo mungesë pa arsye, nxënësi të mos futet më në mësim pa sjellë prindin”, pohon një prej mësuesve të shkollës “Sami Frashëri”. Sipas saj, me paratë nga xhepi është e pamundur të përballohen telefonatat që duhen kryer. “Ministria e Arsimit duhet të vendosë në dispozicion një numër telefoni, ose një person të posaçëm që të merret vetëm me prezencën e nxënësve”, shprehet mësuesja. E njëjta kërkesë vjen edhe nga shkollat e tjera. Sakaq mësuesit pranojnë se me gjithë rregullin e vendosur, braktisja e mësimit mbetet në të njëjtat nivele.
Eksperienca evropiane
Ndonëse nuk duan të flasin hapur, shumë prej drejtorëve të gjimnazeve pohojnë se lajmërimi i prindërve me telefon është kthyer në problem. Është kohë dhe shpenzim për stafin e arsimtarëve, të cilët veç kësaj detyre duhet të ndjekin mbarëvajtjen e orëve mësimore që japin. Ata pohojnë se në Evropë për prezencën e nxënësve punësohet një person që merret vetëm me këtë punë. “Kështu mësuesve kujdestarë, apo edhe nëndrejtorëve u hiqet kjo përgjegjësi dhe personit përkatës i kërkohet më lehtë llogari”, shprehen drejtuesit e shkollave. Sipas tyre, ky model është më i miri, por vështirë se adaptohet te ne. Në të tilla kushte ata shprehen se zgjidhja më e mirë do të ishte që për të gjithë shkollat e mesme të vihej në dispozicion një numër celulari prej të cilit të lajmëroheshin prindërit. Sipas statistikave, çdo gjimnazist i Tiranës bën mesatarisht 23 mungesa në një semestër shkollor. Të dhënat vijnë nga Drejtoria Arsimore e Tiranës. Por në disa shkolla të mesme këto shifra janë edhe më të larta. Te “Petro Nini Luarasi” mesatarja i kapërcen 33 mungesa për nxënës. Çka do të thotë që shumë prej tyre marrin paralajmërim për përjashtim nga shkolla, nëse i kanë pa arsye. Në total për të gjitha gjimnazet gjatë semestrit të parë u numëruan rreth 350 mijë mungesa, prej të cilave plot 150 mijë pa arsye.
Për t’u përjashtuar nga një shkollë e mesme, çdo nxënës duhet të mbushë 45 mungesa pa arsye, ndërsa paralajmërimi merret me 30. Nga sa bën me dije Drejtoria Arsimore e Tiranës, maturantët dhe nxënësit e viteve të treta janë ata që braktisin më shpesh mësimin.
Statistikat, mbetës 32 për qind e nxënësve
Vetëm 68%e gjimnazistëve kalojnë klasën ndërsa mbetës janë 32% e tyre. Për një vit shifrat janë dyfishuar .Me pak fjalë niveli i nxënësve është në rënie të ndjeshme. Por megjithë këtë mesatare nga njëra shkollë te tjetra vërehen statistika të ndryshme. Kështu te “Qemal Stafa” kalueshmëria është 76 %, te “Petro Nini Luarasi” 75%, tek “Ismail Qemali” 80% ndërsa “Myslym Keta” 78 për qind. Më të ulëta janë shifrat te “Partizani”, ku arrijnë në 73 % e më pas “Besnik Sykja” me 60 %. Gjimnazet më të dobët, ku nxënësit me zor marrin klasën, janë “Eqerem Cabej” ku simestrin e parë kalues janë 55 për qind e nxënësve, “Çajupi” me 58% të tyre dhe “Aleks Buda”, ku kalueshmëria është 59 për qind. Të dhënat e Drejtorisë Arsimore tregojnë për mesataren e kalueshmërisë nëpër gjimnaze, ku vijon ende të ekzistojë diferenca prej dekadave tashmë mes “të fortëve” dhe “të dobëtëve”. Për semestrin e parë “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” dhe “Ismail Qemali” renditen të parat në listën e shkollave me mesatare më të lartë. Referuar rezultateve të nxënësve, ajo arrin në 7.5. Disa vende më poshtë vijnë shkolla “Çajupi” dhe “Partizani” me notë mesatare 6.6 dhe 6.8. Shkolla me nivelin më të dobët në këtë semestër është “Abdulla Keta”, ku nota mesatare e nxënësve është 5.9.