E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu paraqet 32 kandidatët për deputetë të PR-së

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka bërë dje prezantimin e 32 kandidatëve për deputetë për Qarkun e Tiranës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kreu republikan Mediu theksoi se "kandidatët e përzgjedhur të PR-së, të cilët kryesohen nga regjisori Besnik Bisha, janë njerëzit, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, nga administrata publike, sektori privat, si dhe nga strukturat e ndryshme politike të PR-së e kjo jo pa qëllim. Synimi ynë për Tiranën është vëmendja maksimale që këta kandidatë do t‘u kushtojnë politikave për familjen, pronën, si shtylla themelore të PR-së, por njëkohësisht edhe të të gjithë shqiptarëve, reformave në sistemin shëndetësor, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe mundësinë që do të ofrojnë për krijimin e vendeve të lira të punësimit për studentët që do të diplomohen në universitetet shqiptare". Mediu tha se këto kandidatura janë selektuar për të dhënë e për t‘i dhënë PR-së një imazh sa më të konsoliduar dhe sa më serioz. Mandatet e fituara do të artikulojnë dhe do të jenë zëri i tiranasve, kavajasve dhe të gjithë shqiptarëve në Parlamentin shqiptar. Siç mund ta konstatoni, tha Mediu, shumë prej kandidatëve janë femra, gjë e cila tregon më së miri se PR-ja është e ndjeshme ndaj nevojave dhe duke qenë se femra shqiptare ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën e realitetin shqiptar, ajo meriton një vëmendje të madhe edhe në krijimin e mundësive për përfaqësim më të madh në politikë e vendimmarrje", nënvizoi kreu republikan. Mediu ka vijuar më tej, duke shtuar se "NATO tashmë u realizua dhe kjo padyshim ishte një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët kudo ata ndodhen, por sfida jonë e ardhshme është anëtarësimi në BE dhe kjo do të realizohet në mandatin e dytë qeverisës të koalicionit të djathtë, pjesë e së cilës është edhe PR-ja", thekson Mediu.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›