Pengohet fushata e PDS. Milo: Ky, një paralajmërim i rrezikshëm
BULQIZE- Incident në fushatën e kreut të PDS Paskal Milo në Bulqizë. Në pallatin e kulturës, ku ishte parashikuar celja e fushatës, papritur është ndërprerë energjia elektrike. Kurse dhjetëra forca policore kanë penguar gjithashtu edhe një miting në sheshin qendror të qytetit. Sipas kreut të PDS, ishte marrë leja përkatëse për zhvillimin e fushatës, ndërkohë që policia nuk e ka lejuar atë.
“Në orën 11:00 ishte parashikuar dhe marrë leje nga policia e Peshkopisë për të zhvilluar dy takime elektorale në pallatin e kulturës në Peshkopi dhe në sheshin qendror të Bulqizës. Për të parin na prenë dritat dhe kemi pritur mbi një orë që të vinin dritat. Në Bulqizë na priste një surprizë tjetër, ne sheshin qendror policia nuk lejontë njerëzit të vendosin instalimet e nevojshme për të zhvilluar mitingun” u shpreh Milo në një lidhje telefonike për televizionin “News24”.
Sipas kreut të PDS-së, policia ka deklaruar se mitingu në Bulqizë nuk mund të zhvillohet për shkak se në atë orë ishte duke u zhvilluar një mbledhje e Partisë Demokratike. Milo theksoi se forcat e policisë ushtronin presion mbi qytatarët, në mënyrë që të mos i lejonin të merrnin pjesë në miting.
“Ky shtet dhe kjo maxhorancë duhet të marrë fund në 28 qershor. Kjo ishte thirrja jonë në shesh ndaj banorëve që nuk i lejuan të merrnin pjesë” tha Milo. (e.n/BalkanWeb)