E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha publikon CV e 140 kandidatëve të PD-së

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje ekipin prej 140 vetash me të cilët do të kërkojë votat më 28 qershor. Një ditë pasi prezantoi në konventën kombëtare projektin e vet për katër vitet e ardhshme, Kryeministri Berisha bëri një prezantim më të detajuar të kandidaturave të PD-së për deputetë. Shefi i mazhorancës tregoi dje "sekretet" e ekipit të tij që do ta fillojë zyrtarisht fushatën më 28 maj. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë deputetët e legjislaturës së 17-të, por në mënyrë të veçantë ata që u përfshinë në listën e Partisë Demokratike. "Ishin pretendentë për t‘u futur në listë 1400 persona, por në mënyrë të veçantë falënderoj ata persona që sot nuk janë përfshirë në listë", tha Berisha. Në ditën e fundit të afatit zyrtar të paraqitjes së kandidaturave, Kryeministri Berisha zbardhi publikisht listën emërore që Partia Demokratike kishte përzgjedhur për garën elektorale, ku binte në sy mungesa në to e 20 deputetëve aktualë të PD-së, ndërsa në ditët në vijim pati edhe largime të deputetëve nga listat, siç ishte rasti i deputetit Sami Gjergji. Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri Sali Berisha ka premtuar një Shqipëri tjetër në katër vitet e ardhshme, gjatë fjalimit të tij para 140 kandidatëve për deputetë të PD-së.

Ai deklaroi se lista e kandidatëve të djathtë është më përfaqësuese dhe do t‘i japë Parlamentit shqiptar një nivel të ri të trajtimit të problemeve të qytetarëve. "Do të përjetoni kohërat më historike në këtë vend. Ju do të jeni autorët e standardeve të mëdha të një zhvillimi të fuqishëm. Shqipëria e katër viteve të ardhshme do të jetë tjetër", është shprehur Berisha.

Kandidatët

Mjekë, arsimtarë, aktorë, ekonomistë dhe juristë. Ky është ekipi me të cilin do të prezantohet Partia Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Prurjet e reja në Partinë Demokratike u cilësuan Rajmonda Bulku, Gerti Bogdani, Viktor Gumi, por edhe Indrit Fortuzi për Qarkun e Tiranës. Shkrirja e PDR-së me Partinë Demokratike solli edhe kalimin e Genc Pollos në krye të listës së PD-së në Berat dhe Tritan Shehun të pozicionuar të 12-in në Tiranë. Tritan Shehu u cilësua nga Kryeministri Berisha si një prej themeluesve të PD-së, ndërsa për numrin dy të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli theksoi se "është një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike, ka shumë tituj shkencorë dhe ka kontribuuar prej vitesh në Partinë Demokratike". Berisha vlerësoi gjithashtu edhe kontributin e dy përfaqësuesve të minoritetit, si Kosta Barkën dhe Spiro Kserën, njëri kandidat për Vlorën dhe tjetri për Gjirokastrën. Për më shumë se dy orë rresht, pasditen e djeshme, kreu i qeverisë ka prezantuar 140 kandidatët për deputetë, duke theksuar se ai është ekipi më i mirë që ka ndërtuar që nga viti 1992.

Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar shqiptarëve edhe një mandat tjetër qeverisës, duke u bazuar në arritjet e deritanishme të qeverisë që ka drejtuar për katër vjet. "Shqiptarët përjetuan dhe ndjenë se si u anëtarësuam në NATO. Ne së bashku firmosëm MSA-në dhe paraqitëm kërkesën për status në Bashkimin Evropian", u shpreh Berisha. Më pas Berisha në cilësinë e kreut të PD-së, ka deklaruar se do të përsërisim fitoren e thellë të vitit 1992. Ai ka lexuar emër për emër gjithë kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, duke paraqitur edhe biografinë përkatëse të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›