E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Do të votohet vetëm me karta identiteti

Partia Demokratike kundërshton votimin në zgjedhjet e 28 qershorit me certifikata, duke theksuar se për këto zgjedhje shqiptarët do të votojnë me pasaporta ose me kartën e identitetit. Partia Demokratike përjashton në mënyrë kategorike votimin me çdo dokument tjetër që nuk janë kartat e identitetit ose pasaportat. Kryetari PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, e quan kthim mbrapa për standardet e zgjedhjeve rifutjen në skenë të certifikatave ose të ndonjë dokumenti alternativ identifikimi. "Këtë radhë do të përdoren vetëm dy dokumente, pasaporta dhe letërnjoftimi elektronik. Pra, për këtë arsye kishte një konsensus të gjerë që certifikatat duhet të dalin jashtë loje dhe nuk ka arsye të përdoren më certifikatat për sa kohë procesi i kartave po ecën shumë mirë. Ne në Shqipëri nuk kemi dokumente të tjera, fatkeqësisht Partia Socialiste filloi një proces kur ishte në qeverisje për të prodhuar dokumente votimi dhe një proces që e dimë që përfundoi në dështim të plotë", theksoi Aldo Bumçi.

Kryetari i demokratëve të Tiranës dhe kandidati i dytë për deputet në kryeqytet, përballë skepticizmit të PS-së për elementet e sigurisë së kartave të identitetit, u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë deri më 18 qershor. Një ditë pas prezantimit të programit qeverisës të demokratëve, Bumçi thotë se zgjidhja e problemit të pronësisë do të jetë pika ku mazhoranca e ardhshme do të fokusohet më shumë. Ai hedh poshtë gjithashtu aludimet se PD-ja ka humbur elektoratin e përbërë nga pronarët. "Nuk ka një përfaqësues që dikush të flasë në emër të pronarëve. Mund të ketë persona të vetëshpallur si përfaqësues të pronarëve. Partia Demokratike ka institucione dhe mund të flasë në emër të Partisë Demokratike", tha Bumçi. Kreu i PD-së së Tiranës bëri me dije se "pronarët nuk kanë institucione të tilla, janë persona të vetëshpallur. Pavarësisht nga kjo, ne e kemi pranuar që për çështjen e pronës nuk është bërë aq sa duhej të bëhej, por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi bërë asgjë. Trashëgimia jonë në këtë fushë është shumë problematike, mungojnë hartat, mungojnë të dhënat bazë dhe prandaj gjithçka duhet bërë pothuajse nga e para, si dhe metodika e kompensimit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›