E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu premton se do ta zgjidhë çështjen çame

Për të thithur sa më shumë vota për Partinë Republikane, Fatmir Mediu, në çeljen e fushatës elektorale dhe prezantimin e deputetëve në Qarkun e Fierit i është drejtuar komunitetit çam dhe kosovar, duke ju thënë se "jeni pjesa më vitale e Fierit". Mediu është ndalur te çështja çame, për të cilën ka thënë se "do të zgjidhet në Parlamentin e ardhshëm çështja çame dhe Partia Republikane do ta mbështesë fuqishëm atë". Në kuadër të një kombi të bashkuar, Mediu vlerësoi edhe rrugën Durrës-Kukës-Morinë. "Sot në Ballkan jetojnë 7 milionë shqiptarë e kjo rrugë është në funksion të tyre", nënvizoi ai. Me nota të theksuara kombëtare, Mediu, përballë dhjetëra pjesëmarrësve në takim, u shpreh se "ne sot mund të ndikojmë për fatin e Kosovës. Ne sot mund të shkaktojmë paralizimin e Serbisë për të qëndruar prapa derës dhe po ashtu mund të vijojmë edhe me Maqedoninë". Sakaq, Mediu kërkoi votën për Partinë Republikane dhe për kandidatët e saj. Kreu i republikanëve tha se "ka anëtarë republikanë të cilët janë më demokratë se disa që hiqen si të tillë". Duke mbështetur koalicionin "Aleanca për Ndryshim", ku bën pjesë Partia Republikane, në fjalën e tij të gjatë Mediu u shpreh se "Edi Rama është pa identitet dhe po të tillë e la edhe forcën politike që përfaqëson".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›