Akademia maqedonase pranon që Enciklopedia të korrigohet
Pas kritikave dhe thirrjeve të analistëve dhe politikanëve shqiparë, akademikët maqedonas kanë pranuar që enciklopdia të korrigjohet. Vendimi u mor nga anëtarët e stafit të “Enciklopedisë së Maqedonisë”, në një takim të zgjeruar në Akademinë e Shkencave. Në takim u vendos të korrigjohen disa përcaktime në publikimin e botimit të parë dhe të vazhdohet të punohet me botimin e dytë, të ndryshuar dhe të plotësuar. “U arrit në përfundimin që të informohet opinioni publik se do të bëhen disa përmirësime të caktuara në disa përcaktime dhe do të vazhdojë puna në botimin e dytë, të ndryshuar”,- thuhet në deklaratën e Qendrës Leksikografike të Akademisë. Enciklopedia e parë kombëtare u promovua të mërkurën e kaluar, botuar me financimin e qeverisë, pas punës disavjeçare të Qendrës Leksikografike dhe të rreth 260 bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e redaktorit kryesor, akademikut Blazhe Ristovski. Në këtë botim shkruhej se “shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata, kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç tjerash, njihen edhe si njerëz mali...”.
Serbi
Gjenden armë afër kufirit me Maqedoninë
Policia e Serbisë tha se kanë gjetur një depo me municion në jug të vendit, apo sic njihet Lugina e Preshevës. Agjencia “Associated Press” citon ministrin e brendshëm, Ivica Daçiç të ketë thënë se janë gjetur armë automatike, lançues raketeash, 16 granata, mina anti- tank dhe municion. Daçiç tha se armët janë gjetur në një pjesë, në një pronë shtetërore rreth 300 metra larg kufirit me Maqedoninë, duke mos dhënë detaje të tjera.
Greqi
Shpërthim para zyrës së ish-ministrit në Athinë
Një shpërthim ka ndodhur dje para zyrës së ish-ministrit grek të Ekonomisë, socialistit Gerasimos Arsenis, në Athinë. Shpërthimi ndodhi në lagjen “Kolonaqi” të kryeqytetit grek por fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima vetëm dëme materiale. Bomba artizanale, shpërtheu në zyrën e shefes për programin ekonomik të PASOK, socialistes, Gerasimos Arsents, që është bashkëshortja e Gerasimos Arsenis. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, pasi në momentin e ngjarjes nuk ka pasur njerëz brenda në zyrë.
Britani e Madhe
Kryeministri Braun flet për pakësim armësh bërthamore
Kryeministri britanik, Gordon Braun, thotë se do të pakësojë armët bërthamore të Britanisë nëse arrihet një marrëveshje ndërkombëtare për të ulur arsenalet bërthamore në gjithë botën. Braun pritet të shprehet sot në një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit, se ai është gati të heqë nga përdorimi një nga katër nëndetëset që kanë raketa bërthamore Trident.
Qeveria britanike shpreson se oferta do të inkurajojë vende të tjera që të pakësojnë armët e tyre bërthamore.
SHBA
Izraeli i kënaqur me bisedimet tripalëshe
Izraeli ka thënë se është i kënaqur me rezultatet e një takimi tre palësh me presidentin Obama dhe presidentin palestinez, Mahmoud Abas, që u mbajt megjithë faktin se Izraeli refuzon të ngrijë aktivitetin ndërtimor të vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor. Ministri i jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, tha se kjo tregonte se Izareli nuk ishte dorëzuar para presionit mbi këtë çështje dhe se bisedimet paqësore mund të rifillnonin edhe pa e bërë këtë gjë.
24 Shtator 2009