E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minarolli përfaqëson kinemanë shqiptare në çmimet “Oskar”



Petrika GROSI
Arkivi Qendror i Filmit ka pohuar ditën e djeshme se pas mbledhjes të Komisionit Përzgjedhës pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, filmi “Gjallë” i regjisorit Artan Minarolli është vendosur që të garojë si përfaqësues i kinemasë shqiptare në konkursin prestigjoz botëror të çmimeve “Oskar”. Filmi i regjisorit Minarolli do të garojë për çmimet “Oskar” në seksionin e filmit të huaj, në edicionin e 82 të këtij kompeticioni, i cili do të mbahet në vitin 2010. Filmi “Gjallë” përfundoi në qershor të këtij viti, ndërkohë që premiera e tij botërore u dha në festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary të Çekisë më 5 korrik 2009. Ndërkaq, premiera shqiptare do të vinte në Festivalin Veror të Durrësit më 27 gusht 2009, ku filmi “Gjallë” u vlerësua nga juria me Çmimin Special. Që prej 5 shtatorit filmi po shfaqet me sukses në kinema “Imperial” në Tiranë. Njëherësh, vlen të thuhet se “Gjallë” është zgjedhur të marrë pjesë zyrtarisht në konkurim në disa festivale si Pusan në Korenë e Jugut, Antalya Film Festival në Turqi, Chennai në Indi, Bergen në Norvegji, Montpellier në Francë dhe Beograd në Sebi. Filmi i Minarollit bën fjalë për Nikun, një djalosh që papritur merr vesh se është në një gjak të vjetër. Atij do t’i duhet të ndërpresë studimet dhe jeta e djaloshit pëson një ndryshim që do të jetë i pashpresë. Pavarësisht përpjekjeve të tij për të dalë nga situata filmi mbyllet me një fund tragjik. Gjakmarrja është një plagë sociale, nga e cila me mijëra njerëz janë të ngujuar në Shqipëri dhe sot e kësaj dite dhe vuajnë pasojat e saj, deri në eleminimin fizik. Megjithatë, hakmarrja si fenomen, nuk është vetëm shqiptar, ndaj edhe filmi ruan në të njëjtën kohë vlerat dhe aktualitetin në tejçimin e mesazhit global të paqes dhe dashurisë.

KRITIKA

Nju Jork Tajms: “Inva Mula triumfon në Paris me operan ‘Mireille’”

Në një shkrim të botur dje në uebsajtin zyrtar të Nju Jork Tajmsit, flitet për operan më të fundit që tronditi jetën artistike e kulturore të Parisit, “Mireille” të kompozitorit Charles Gounod. Mes të tjerash, artikulli në fjalë flet me vlerësim superlativ për interpretimin e solistes shqiptare Inva Mula. “Roli i Mireilles është një triumf për sopranon shqiptare Inva Mula, e cila është e prirur ndaj roleve dramatike” - shkruan autori George Loomis. Më tej, artikulli i referohet sërish sopranos të famshme shqiptare duke thënë gjithashtu se “Mula këngon në mënyrë të mrekullueshme. Zëri i saj ka një amplitudë të konsiderueshme dhe një fokus të shkëlqyer, ç’ka e bën të rrezatojë ëmbëlsi këtë këngëtare të këndshme të Operas Franceze.

Camerata e Tiranës

Suela Piciri sjell klasikët në Akademinë e Arteve

Camerata Tiranës do të zhvillojë koncertin e saj të muajit shtator në vazhdimësi të sezonit artistik 2009. ky koncert mbyll këtë sezon dhe njëkohësisht i paraprin sezonit të ri artistik 2009 – 2010. Mbas një turneu shumë të sukseshëm të cameratës së tiranës me supersolistin e mirënjohur Frederic Laroque, me katër stinët e Vilaldin, këtë herë Camerata e Tiranës ka përzgjedhur në programin e sak Katër stinët shumë të njohur të kompozitorit argjentinas A. Piacolla. E ftuar në këtë koncert do të jetë solistja jonë e mirënjohur Suela Piciri. Ky koncert do të zhvillohet në Akademinë e arteve, ditën e shtunë dt 26 shtator 2009, ora 19.00. Programi do të përmbajë pjesë si: G. Puçini, Crisantemi; N. Rota, Koncert për harqe, F. Perez, Tedesco Tre episode për orkestër harqesh, A. Piacolla Katër stinët.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›