Mediu rikthehet në qeveri, republikanët “firmosin” drejtimin e Ministrisë së Mjedisit
Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, firmosën dje marrëveshjen e koalicionit të ri qeverisës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, PR-ja merr postin e ministrit të Mjedisit, dy poste zëvendësministrash dhe përfaqësim në bazë të kontributit në nivelet e tjera të pushtetit. Posti i ministrit të Mjedisit në qeverinë e re do të drejtohet nga kryetari i Republikanëve, Fatmir Mediu, i cili do të rikthehet sërish në qeveri pas dorëheqjes së dhënë pas tragjedisë së Gërdecit. Pavarësisht rikthimit në qeveri, procesi gjyqësor dhe hetimet ndaj Mediut do të vazhdojnë përsa i përket rolit të tij në tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Berisha u shpreh dje se PR-ja është aleatja tradicionale e PD-së dhe se së bashku do të punojnë për realizimin brenda këtyre katër viteve të reformës së pronësisë. “Sot ne kurorëzojmë marrëveshjen e nënshkruar pak muaj më parë me një marrëveshje të re, me të cilin ne, siç ishim zotuar, përcaktojmë rregullat e bashkëqeverisjes gjatë këtij mandati. Partia Republikane është një parti që ka promovuar në të gjithë ekzistencën e saj një çështje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, një çështje që qëndron në themel të sistemit demokratik, siç është e drejta e pronës. Partia Demokratike është partia që i bëri shqiptarët pronarë dhe mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Republikane për reformën më të drejtë, më të ndershme të pronësisë dhe në kohën më të shkurtër. Të dyja partitë tona kanë në themel idealin europian të qytetarëve shqiptarë”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka shtuar se Partia Republikane ka dhënë një kontribut të pamohueshëm, shumë të rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Jam i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është qëllim i përbashkët i dy forcave tona politike, prandaj dhe kjo qeveri quhet qeveri e integrimit europian të Shqipërisë, proces ky jetik i shndërrimit në realitet të një ëndrre të shqiptarëve. Kjo marrëveshje përcakton që PR-ja do të ketë në kabinetin e ardhshëm Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe dy zëvendësministra. Do të ketë një përfaqësim proporcional në të gjitha nivelet e pushtetit. Marrëveshja përcakton që problematikat dhe votimet e ardhshme për institucionet kushtetuese do të jenë konsensuale”, - është shprehur Berisha.
8 Shtator 2009