E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në mes të dy palë zgjedhjeve

Gëzim Podgorica 

Rama ndodhet në këtë moment në mes dy palë zgjedhjeve: Atyre parlamentare që sapo kaluam për të cilat thotë se i ka fituar, por në fakt i ka humbur, dhe atyre brenda partisë së vet, të ...cilat do t’i fitojë, por që në fakt do të jenë zgjedhje të humbura. E vetmja fitore e tij do të jetë lakrori, me petë apo pa petë qoftë. Gjithsesi ai po vazhdon të investohet pa aspak diplomaci politike në aksionin butaforik të mosnjohjes së zgjedhjeve, alibia kryesore e cila po i shpëton lëkurën brenda të vetëve, por jo brenda së vërtetës dhe objektivit të socialistëve që u investuan jo pak. Kjo mund t’i vlejë atij dhe një grumbulli njerëzish pa histori në PS, ose me histori të mohuar prej vetë atyre, por nuk besoj kurrsesi se do t’i vlejë të ardhmes së kësaj force politike. Më gjatë, shumë pak gjasa ka të vlejë, jo për faktin se tash koalicioni qeverisës midis PD dhe LSI ka arritur mirëkuptim të plotë programor dhe ekipor, por se sjellja ekstravagante edhe politike e ish-kryetarit të selisë rozë nuk prodhon aspak optimizëm dhe shpresë. Bojkoti parlamentar si një formë reagimi politik po verifikohet i paarsyetuar dhe me më shumë kundërshtarë se sa pritej në fillim kur u hodhën shkëndijat e mospajtimit. Ky radikalizëm, i cili deri disa muaj më parë kishte armik kryesor vetë Ramën, nuk mund të jetë armë politike e besueshme tani që socialistët për hir të dështimit të projektit të tij do të jenë të detyruar së paku edhe katër vjet të qëndrojnë në opozitë. Zgjedhjet e parakohshme, të cilat i artikulon, nuk i beson as vetë, pasi mundësitë e realizimit të tyre i hodhi në erë përmes ndryshimeve kushtetuese të bekuara në mënyrë të posaçme nga ai. Ato janë vetëm një oksigjen për tezat e tij të lodhura dhe pa shpresë, dhe hipokrizia e radhës ndaj militantëve të cilët i duhen për ta rivotuar, duke marrë mandatin që i jep mundësitë e spastrimit përfundimtar të kundërshtarëve. Sigurisht duke e falur Maqon!
Spiralja e eklektizmit politik të Ramës po rritet dhe opozita nuk po orientohet dot në mjegullnajën e tezave të bojkotit. Një sasi e kufizuar zërash të atyre që dinë në PS, po përplasen, ndërsa pjesa më e madhe e të cilëve që u ka rënë për hise aksidentalisht të jenë parlamentarë numërojnë mbështetësit dhe kundërshtarët, për ta patur të lehtë rreshtimin e tyre. Teza e bojkotit ironikisht ka avokat pikërisht njeriun, të cilit iu bojkotua projekti nga zgjedhësit. Për të qenë korrektë projekt nuk pati, por iu bojkotuan tezat e “ndryshimit”, të “politikës së re” dhe ajo më e paarsyetuara “përtej së majtës dhe së djathtës”. Arsyet përse humbi zgjedhjet janë analizuar dhe konsistojnë në shumë plane, por çdo ditë që kalon bën edhe më të identifikueshme gabimet e njëpasnjëshme të Ramës dhe të pabesueshme vjegcat ku kërkon të kapet. Ajo së cilës ai vazhdon të mos i japë përgjigje është përse nuk pati guxim të linte Bashkinë e Tiranës, të garonte si një lider i formuar përballë votës popullore, që merrte tjetër dimension në këtë rast. E kjo ashtu siç pritej nuk ndodhi, pasi frika ishte më e fortë se bindja për fitore. E për më tepër kjo nuk mund të sillte as një të majtë të bashkuar si e kishin kërkuar të gjithë, qoftë dhe socialisti më i zakonshëm i cepave të harruara te Shqipërisë. Por ashtu siç ndodhi me pafuqinë për t’u përballur me elektoratin dhe verifikuar aftësitë e tij drejtuese të një formacioni politik me të cilin më së paku ka lidhje të qenësishme, ashtu po ndodh edhe tani. Ai po kërkon me ngulm të bojkotojë parlamentin përmes argumentit të zgjedhjeve të dhunuara, pavarësisht se brenda dhe jashtë vendit janë shtuar zërat objektivë për zgjedhje të pranuara. Paradoksialisht kundër këtyre zërave të arsyeshëm shfaqet Rama i shqetësuar për vjedhjen e votave të shqiptarëve dhe shkeljen e standardeve. Mungojnë faktet, mungojnë argumentet, përsëritet deri në bezdi i njëjti refren dhe e njëjta gjuhë kërcënuese, por që mundet të kishte një farë jetëgjatësie po të mos ishin pas derës zgjedhjet për kryetar brenda PS-së. Këto e dekonspirojnë keqas qëndrestarin Rama, i cili misionit të tij për të rrëzuar Berishën i ka shtuar tani edhe Metën me Nanon!!! Mes marrëzisë dhe aventurizmit nuk po arrin të orientohet, por edhe po inflacionon vetveten. Ndodh kështu se që nga kandidimi, i cili si nga statuti, ashtu edhe moralisht është i paligjshëm, deri te mënyra e dhunshme që po kërkon të qëndrojë në PS, komprometon hapur mbrojtjen demagogjike që bën për zgjedhjet e 28 qershorit. Kishte rastin e artë të sillej si politikan i përgjegjshëm dhe i besueshëm duke pranuar përgjegjësinë e 28 qershorit dhe të mbikëqyrte korrektësinë e zgjedhjeve në parti. Por ai po bën pikërisht të kundërtën, po akuzon  të tjerët për atë që vetë po realizon brenda partisë. Jo vetëm që po kandidon, por tinëzisht mandatin e tij të ndërprerë veçse nga humbja po e zgjat në katër vite. Kaq ka në dorë të grabisë tani, pasi mundësitë e tjera ia ndali vota e zgjedhjeve parlamentare, që e nuhati etjen e pafundme për të qeverisur duke shkelur ligje e rregulla, parime e norma, moral dhe marrëdhënie njerëzore. Ai ka vetëm një objektiv dhe synim, të qëndrojë me çdo kusht në PS, duke shkelur çdo standard, por edhe duke dëmtuar rëndë imazhin e socialistëve dhe vënë në pikëpyetje shumë serioze të ardhmen e tyre. Këto vlejnë fare pak për Ramën, për të vlen vetëm pushteti dhe egoja e shfrenuar, duke luajtur me argumente që i zhvleftëson double standardi i tij. Ai akuzon pushtetin se ka nxjerrë nga burgu njerëz të inkriminuar, ndërkohë që duhet të përgjigjet për akuzën e Blushit se punonjës të një policie private kanë penguar delegatët e Kongresit socialist që kishin firmosur ndryshimet statutore të futeshin në sallë. Këtu të bërtiturat e tij për padrejtësitë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare, nxjerrin kallajin e pavërtetësisë në thelb të tij. Cilën demokraci ka guxim të mbrojë Rama në këtë rast, demokracinë që ai e dhunon në mes të ditës e përballë kamerave, apo demokracinë e zgjedhjeve parlamentare, faktet për të cilat ia ka servirur një ish-komunist që nuk u bë kurrë socialist! Si mund të flasë për zgjedhje të vjedhura, kur po i vjedh partisë që drejton kryetarin duke shkelur hapur çdo gjë. Ku është besueshmëria e atij që vjedh vetë kur akuzon të tjerët? Sigurisht askund, por brenda akuzave rrinë të fshehura interesa të tjera, që shiten se janë për hir të elektoratit, por në fakt janë thjesht dhe vetëm për hir të një individi dhe disa masonëve rreth tij. Ai me nismën bojkotuese të mbështetur gjoja mbi vjedhjen e zgjedhjeve, kërkon vetëm të plotësojë objektivat të cilat janë ku e ku me ato të socialistëve të shumtë që bombardohen demagogjikisht pothuaj çdo ditë nga misionari pa mision publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›