E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbledh Grupin Parlamentar: “Duhet të vrapojmë në realizimin e reformave”



Kryeministri Berisha mblodhi dje Grupin e ri Parlamentar të PD-së, të përbërë nga 68 deputetë që rezultuan fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë fjalës së mbajtur para tyre Berisha vuri theksin në domosdoshmërinë e realizimit të reformave të rëndësishme për vendin që synojnë integrimin në BE, si dhe i bëri ftesë opozitës të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, ndërsa theksoi se është i hapur të bashkëpunojë me PS-në. “Uroj dhe shpresoj që Partia Socialiste të zërë vendet e veta në Parlament. Unë e garantoj opozitën se do të bashkëpunojmë me frymë të hapur, konstruktive, se zëri i saj do të dëgjohet dhe se, së bashku me maxhorancën, ajo do të jetë bashkautore e reformave të mëdha që do ta çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt Bashkimit Europian”, - është shprehur Berisha. Më pas fjala e tij është përqendruar te deputetët e PD-së dhe te prioritetet e kësaj partie gjatë këtij mandati të dytë qeverisës. “Ne duhet jo të ecim, por të vrapojmë, sepse ne jemi kohëhumbur. Starti ynë 20 vite më parë ka qenë së paku 250 vjet larg ligjeve europiane. Ne nuk mund të rrimë, por duhet të vrapojmë të kapim dhe të shkurtojmë distancat. Ndaj dhe katër vitet që vijnë janë vite të mundësive të mëdha për ju dhe për mua. Katër vitet që vijnë janë, gjithashtu, vitet e shanseve dhe kërkesave më të mëdha. Ne do të formësojmë Shqipërinë europiane, të përgatitur me seriozitetin më të madh për verdiktin përfundimtar të vendeve anëtare të Bashkimit Europian”, - është shprehur Berisha. Gjatë fjalës së tij kryeministri falënderoi të gjithë deputetët e PD-së, të vjetrit, të rinjtë por edhe ish-deputetët për kontributin e dhënë. “Unë dua të falënderoj edhe një herë të gjithë deputetët e legjislaturës që kaloi, por edhe ata që, për një arsye apo për një tjetër, nuk janë sot midis nesh si deputetë, për kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë në miratimin e qindra e qindra ligjeve dhe marrëveshjeve, të cilat përbëjnë bazën e infrastrukturës ligjore të reformave të mëdha të maxhorancës tonë”, - është shprehur Berisha. Kryeministri vlerësoi procesin zgjedhor si më të mirin që ka pasur ndonjëherë vendi. “Ky proces ka qenë më i miri, sepse në këto zgjedhje nuk pati as edhe një problem të vetëm me listat e zgjedhësve. Në këtë proces nuk pati as edhe një problem të vetëm me identitetin e zgjedhësve”, - është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se infrastruktura ligjore zgjedhore u hartua me konsensusin e opozitës. Duke iu referuar akuzave të PS-së, edhe njëherë Berisha i bëri thirrje kreut të PS-së që të depozitojë në Gjykatë çdo provë që vërteton manipulimin e zgjedhjeve. Në përfundim të fjalës së tij Berisha vlerësoi koalicionin me LSI-në dhe garantoi se do të respektojë marrëveshjet me të gjithë aleatët e PD-së.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›