Meta: “Bojkoti, shfaqje e turpshme e kryetarit të PS-së”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e ka quajtur të turpshëm vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për bojkotimin e Kuvendit. Meta e akuzoi Ramën se për shkak të interesave të tij personale po përpiqet që të bllokojë procesin e liberalizimit të vizave. Kreu i LSI-së, gjithsesi, i garantoi shqiptarët se askush nuk do të mund të pengojë procesin e europianizimit të vendit. “Asgjë nuk do ta ndalë projektin e europianizimit të Shqipërisë, atë të liberalizimit të vizave, dhe jam i bindur që kundër këtij projekti nuk është Partia Socialiste, por është një lidership, i cili ka vetëm probleme personale dhe interesa personale. Socialistët kanë kontribuar për europianizimin e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë, pavarësisht se ku ndodhen ata. Ndërsa kjo e sotmja është një shfaqje e turpshme, në kuadër të një degradimi fatkeq që ka kapur kryetarin në detyrë”, - tha Meta. Ai foli gjithashtu edhe për legjislaturën e re të Kuvendit, për të cilën theksoi se do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në ndryshimin e Shqipërisë. “Sot nis një legjislaturë e re dhe unë jam i bindur se në fund të kësaj legjislature Shqipëria do të jetë shumë më ndryshe nga çfarë është sot. Shqiptarët do të ndihen shumë më mirë dhe njëkohësisht atyre që iniciojnë iniciativa të tilla, tepër të vjetra për politikën shqiptare, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin ku jetojmë, të jeni të sigurt që do t’u vijë turp pas pak kohësh për këtë veprim të pajustifikuar që bëjnë thjesht për probleme të brendshme statutore”, - tha Meta.
Kreu i LSI-së, i cili do të ketë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm në qeverisjen e re, tha se mandati i Kuvendit të ri do të jetë shumë i suksesshëm. Ai tha se gjatë këtyre katër viteve do të arrihen të realizohen mjaft objektiva të rëndësishëm, si: integrimi europian i vendit, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë, zhvillimi ekonomik, lufta kundër varfërisë dhe nxitja e punësimit.
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian përshëndet hyrjen e LSI-së në qeveri
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian – grupi i socialistëve dhe demokratëve europianë, Gianni Pittella, përshëndeti hyrjen e LSI-së në koalicionin qeverisës. Pittella u shpreh se mbështet programin e Ilir Metës dhe të LSI-së për integrimin e Shqipërisë dhe për realizimin e reformave që do ta çojnë Shqipërinë drejt realizimit të procesit të integrimit në Europë.
8 Shtator 2009