E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skaneri i një mbledhjeje qeverie

Nga Mero Baze

Gazeta “TemA” po boton sot procesverbalin e mbledhjes së qeverisë së shkurtit 2007, ku zë fill kapja e shtetit nga mafia e Gërdecit. Në të vërtetë, gazeta “TemA” i është referuar kësaj mbledhjeje që më datën 16 mars 2008, të nesërmen e shpërthimit të Gërdecit. Ne ishim të parët që që të nesërmen denoncuam lobimin e kësaj kontrate në mënyrë këmbëngulëse nga ministri Fatmir Mediu. Sot, po e botojmë të plotë për disa arsye.

Së pari, për të dëshmuar mbi palët e kapura dhe palët e përgjegjshme në qeverinë shqiptare. Nëse i hidhni një sy procesverbalit të mbledhjes, do të shihni se ministri i Financave, Ridvan Bode, shfaqet si një ministër i vërtetë, profesionist dhe me integritet të lartë shtetëror. Dialogët e tij me Fatmir Mediun për çështje financiare dhe juridike në këtë mbledhje mund të ilustrojnë më së miri diferencën mes një ministri që mbron shtetin dhe një ministri që mbron mafien, një diferencë mes argumenteve të Bodes për të hedhur poshtë projektin e Mediut dhe sjelljes qesharake të Mediut, shpeshherë e mbushur me injorancë, mendjelehtësi, halabakllëk, dhe në fund me njëfarë sinqeriteti për prerje në besë nga Sali Berisha. Gjithë sjellja gjysmë fëminore, gjysmë halabake e Fatmir Mediut në mbledhje i ngjan një pazarxhiu të rrugës, që është dhe injorant dhe ka intuitë për të fituar ndonjë lek, dhe sillet në mbledhje qeverie sikur nuk është ministër i këtij shteti, por sikur e kanë ftuar në një mbledhje qeverie si të jashtëm. Në çdo vend të botës një ministër do ishte pushuar nga puna, nëse në prani të kryeministrit në një mbledhje qeverie do të përdorte fjalë të tilla si: “Ky shtet nuk bëhet”; “Në këtë shtet nuk të thotë njeri ç’të bësh”; “Bëni si të doni, unë s’kam ndonjë interes personal”; “Se mos na ikin dhe këta si të tjerët”, pra një sërë fjalish standarde, përmes të cilave zakonisht ankohen për shtetin njerëzit e rrugës. Në të vërtetë këto fjali i ka përdorur Fatmir Mediu për qeverinë e vet.

Arsyeja e dytë pse po e botojmë, është të kuptojnë lexuesit se si sillet Sali Berisha, kur është kryeministër i kapur. Duke qenë se bëhej fjalë për një kontratë, e cila ishte e djalit të tij, Sali Berisha sillet paqësor në mbledhje, aspak diktues dhe përpiqet vetëm të qetësojë Fatmirin, kur nuk kupton as shpjegimet ligjore të Bodes. I dorëzuar para argumenteve ligjore të ministrit të Financave, kryeministri nuk do që biznesi i djalit të tij të dështojë dhe bën rolin e një arbitri të zbutur, duke sqaruar me shumë delikatesë Mediun që të mos mërzitet, se kjo punë do të zgjidhet.

Dhe si për t’i vënë kapakun gjithë këtij biznesi familjar dhe kapjes së shtetit nga banda e djalit të tij, Sali Berisha dekonspirohet nga mendjelehtësia e Fatmir Mediut, i cili, nervoz si çdo halabak që fati e ka futur në një mbledhje qeverie, i kujton se zoti Berisha iu ka thënë “Po” në zyrë njerëzve që do të ndërtonin Gërdecin dhe tani ia ka lënë telashet Fatmirit. Kjo mënyrë të sjelluri e Sali Berishës me Fatmir Mediun në këtë mbledhje është e pazakontë, pikërisht për shkakun se Fatmir Mediu nuk ishte duke u përleshur në mbledhje me Ridvan Boden për biznesin e vet, siç e thotë dhe pa dashje, por për biznesin e Shkëlzen Berishës, siç u provua publikisht këtë javë nga gjithë faktet që u bënë publike.

Kjo mbledhje qeverie provon qartë kapjen e shtetit, kapjen e Sali Berishës dhe mbi të gjitha implikimin e vetëdijshëm të tij për të lobuar për një biznes të djalit të vet. Lajm i mirë është që në atë qeveri ka pasur zëra me integritet që i kanë treguar ligjin dhe e kanë detyruar Mediun dhe Berishën të zmbrapsen nga revanshi i parë, por jo nga objektivi i tyre. Atë e realizuan një muaj më vonë, sërish duke ia dhënë kontratën të njëjtëve njerëz të djalit të kryeministrit, me të njëjtën arrogancë, me të njëjtin grup biznesmenësh. Fabrikën e ndërtoi kompania Balliu-Delijorgji dhe e udhëhoqi dyshja Delijorgji- Selmanllari. Është kjo arsyeja pse Berisha ngjan si një luan i futur në kafaz, kur dëgjon shpërthimet diletante të Fatmir Mediut që rrezatojnë në të vërtetë standardin më të ulët që ndonjë qeveri shqiptare ka pasur ndonjëherë në gjirin e vet.

Ky është një dokument që dëshmon një Sali Berishë të panjohur, të duruar ndaj propozimeve të hapura për trafik dhe shkelje ligji, të urtë, kur dikush i kujton paktin, të heshtur, kur ministrat mbrojnë ligjin, të dorëzuar para ortakërisë së djalit të tij me Delijorgjin. Dhe fatkeqësia është që ky Sali Berishë i kapur, po përpiqet të na i paraqesë klientët e mafies si heronj. Rezart Taçin, që e quajti trafikantin më të madh të naftës, e nxori në tribunë me gruan e tij, Delijorgjin me djalin e tij, dhe në fund përpiqet të na mbushë mendjen që kërkesa e vajzës së tij për një honorar 3 për qind të investimit (TEC-i në Porto Romano kushton 1 miliard euro, asaj i bie të marrë 30 milionë euro), është normale. Nuk di sa ka ndryshuar Shqipëria të pranojë një standard të tillë, por shihet qartë që Sali Berisha ka ndryshuar tërësisht, është klienti më i preferuar i mafies në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›