E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev i sugjeron Papandreut t'i drejtohet FMN dhe BB-se

MOSKë- Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, vendi i të cilit po përballet me një borxh të paprecedentë, ndodhet sot në Rusi ku është takuar me presidentin Dmitri Medvedev dhe pritet të takohet me kryeministrin Vladimir Putin.
Gjatë takimit, lideri i Kremlinit, Dmitri Medvedev i sugjeroi kryeministrit grek që t'i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për të zgjidhur çështjen e deficitit.

Mes çështjeve që do të trajtohen janë gazsjellësi ruso-italian South Stream, që do të dërgojë gaz nga Rusia drejt Evropës nëpërmjet Detit të Zi, duke shmangur Ukrainën, mësohet nga një komunikatë e Kremlinit.
Greqia është vënë në qendër të kritikave për shkak të krizës së saj të rëndë buxhetore. Ajo ka një borxh të lartë që arrin në 300 miliardë euro, ose 113 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pothuaj sa dyfishi i kufirit të lejuar prej 60 për qind të PBB-së i përcaktuar nga zona euro.
Në vitin 2008, Rusia ka premtuar t'i japë Islandës 500 milionë dollarë për ta ndihmuar në përballimin e krizës ekonomie, por ajo u tërhoq për shkak të vështirësive të saj të brendshme buxhetore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›