E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e emigrantit në Oblikë, ngujohet familja e të dyshuarit

SHKODER - Frika e një hakmarrjeje të mundshme nga familja e Bruno Logut, 19-vjeçarit të ekzekutuar me thikë tre ditë më parë në fshatin Oblikë ngujon familjen e të dyshuarit si autor i krimit. 

Fakti që familja e viktimës dhe ajo e Astrit Barcakut, 18-vjeçarit të shpallur në kërkim si autor i vrasjes janë fqinje me njëra-tjetrën dhe si të tilla kanë pasur njohje të hershme, e ka rënduar më tepër situatën. Dje mes lotëve dhe dhimbjes është kryer ceremonia mortore e varrimit të Logut. Edhe pse sipas burimeve policore nuk ka pasur ndonjë emër konkret apo deklaratë nga familjarët e viktimës kundrejt familjes Barcaku për t’u ngujuar, familjarët e 18-vjeçarit kanë “respektuar” zakonet siç ndodh në të tilla raste. Pavarësisht faktit të së qenit fqinjë, ata nuk kanë marrë pjesë në varrimin e Logut. Ndërsa familjarët e Barcakut janë ngujuar në banesën e tyre, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit të dyshuar për vrasjen. Burime pranë policisë së Shkodrës bënë me dije se gjatë dy ditëve të fundit efektivë të shërbimeve policore kanë krehur të gjithë zonën nga Oblika deri në Kufirin me Malin e Zi. Duke pretenduar për një largim të mundshëm të 18-vjeçarit në drejtim të Malit të Zi, policia shqiptare i ka kaluar homologëve malazezë të dhënat personale të tij. Ngjarja ku mbeti i vrarë me thikë, Bruno Logu ndodhi mesnatën e së enjtes vetëm 10 metra larg portës së banesës së tij në fshatin Oblikë. Pak momente pas ngjarjes policia gjeti shumë afër vendit të krimit një biçikletë të braktisur dhe një bluzë të gjakosur. Pas verifikimit të provave dhe marrjes në pyetje të disa personave, policia shpalli në kërkim dy ditë më parë Barcakun si autor të vrasjes.  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›