UNMIK: Vendos Këshilli i Sigurimit, jo Prishtina
Derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe, ne do të vazhdojmë punën tonë, thonë përfaqësues të misionit të OKB-së në Kosovë. Zhvleftësimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, mbi të cilin bazohet puna e UNMIK-ut, ishte kërkuar sërish nga Prishtina zyrtare. Pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që flet edhe për Rezolutën 1244, duket të jenë shkaktuar disa paqartësi lidhur me masat legale që mund të ndërmerren për ta larguar UNMIK-un nga Kosova dhe për t’i dhënë fund 1244.
Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë duket se nuk ndihet e kërcënuar nga kërkesat e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare për zhvleftësimin e Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Një kërkesë e tillë u paraqit edhe në seancën e fundit për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Veprimi i diplomacisë kosovare u quajt i gabuar ngase, siç thuhej, me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është konsumuar Rezoluta 1244.
Në UNMIK thonë se është në duart e Këshillit të Sigurimit të vendosë për ndryshimet eventuale. Zëdhënësi i këtij misioni, Rasëll Gik, thekson se UNMIK-u do të vazhdojë punën derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe.
“UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në kuadër të mandatit të tij që vjen nga Këshilli i Sigurimit, derisa Këshilli i Sigurimit vendos ndryshe. Mendoj se ajo që kemi dëgjuar në seancën e fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, ishte një mbështetje për punën tonë nga anëtarët e këshillit”, deklaron Giki.
Opozita në Kosovë, ndërkaq, vlerëson se Prishtina zyrtare, që nga procesi në GJND duhet ta injorojë 1244 dhe të veprojë si shtet.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, sugjeron që Prishtina zyrtare të shfrytëzojë sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të aplikuar për anëtarësim në OKB, pa u thirrur në Rezolutën 1244, por duke u bazuar në opinionin këshillëdhënës të GJND-së, i cili, sipas tij, e ka vendosur de fakto Kosovën në një pozicion të pakthyeshëm politik e legal.
“Kosova nuk duhet të vendoset në pozicion difensiv për të filluar debatin nëse 1244 është gjallë ose jo. 1244 faktikisht nuk është më e gjallë dhe Kosova duhet të jetë në ofensivë në këtë drejtim”, shprehet Ramadani.
Pavarësisht karakterit këshillëdhënës të mendimit të GJND-së, i cili nuk obligon asnjërën palë për veprime të caktuara, analistët në Prishtinë thonë se Kosova do të duhej të përfitonte nga vlerësimet e trupit më të lartë të drejtësisë në botë.
Analisti Halil Matoshi, pohon që në aspektin legal 1244 mbetet ende në fuqi dhe se për shkak të përbërjes së Këshillit të Sigurimit nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i saj.
Megjithatë, ai thotë se duhet të priten zhvillimet në Nju-Jork në vjeshtën e këtij viti.
“Besoj që Asambleja e Përgjithshme do t’u bëjë kërkesë palëve si shtete - Serbisë dhe Kosovës, që të bisedojnë për çështje të kufijve, të krimit të organizuar, luftimin e trafikimit dhe të tjera”, thekson Matoshi.
Rezoluta 1244 ishte miratuar më 10 qershor të vitit 1999. Në mendimin e GJND-së thuhet se qëllimi i dokumentit në fjalë ishte krijimi i një regjimi të përkohshëm e të jashtëzakonshëm juridik që synon stabilizimin e Kosovës dhe se si i tillë, është projektuar për ta bërë këtë në një bazë të përkohshme.
#