E Shtunë, 31 Tetor 2026

PREMIERA, “Matematika e kuzhinës”, risia mes shkencës dhe artit në skenën e Teatrit Kombëtar



Me rastin e Javës IX të Gjuhës Italiane në Botë, nën temën “Italishtja mes artit, shkencës dhe teknologjisë”, Instituti Italian i Kulturës sjell në kryeqytet spektaklin teatror “Matematika në kuzhinë”. Shfaqja është inskenuar dje në Teatrin Kombëtar nga kompania italiane “Pupi e Fresedde” (Teatro Stabile di Rifredi – Firence). Spektakli “Matematika e kuzhinës” nuk është gjë tjetër veçse një kabaret matematiko-kulinar. Një vepër interesante, në të cilën matematika argëtohet duke u shfaqur aty ku më pak pritet që të gjendet; në kuzhinën e shtëpisë sonë. Nëse do ta shohim me kujdes, edhe në këtë mbretëri të aromave dhe të shijeve, pas rubitentit të ujit ose pas një patateje mund të ndeshim me emergjenca të papritura që kanë të bëjnë me matematikën dhe alkiminë. E rëndësishme është të dimë sesi ta ngremë pyetjen e duhur. Kështu, përgjatë përgatitjeve të një sallate dhe një pjate makaronash, mund të pyesim veten se pse salçiçet skuqen më shpejt se rostoja? Çdo gjë dhe çdo veprim mund të bëhet një objekt i mirë për matematikën, duke rikthyer në jetë disiplinën e shmangur nga shumë prej nesh, për shkak se duket shumë abstrakte. Në një kuzhinë të tillë, të mbushur me kaq shumë surpriza, nuk të çudit fakti që trajtimi i materialit shkencor nuk i është besuar profesorëve dhe akademikëve por një grupi të shkëlqyer artistësh. Personazhet e kësaj vepre janë, i shkujdesuri dhe i përhumburi Pinotto (Andrea Muzzi), i cili e mban veten si një mjeshtër të furnelave dhe ndihmësi i tij Xhani (Andrea Bruno Savelli). Ata janë të detyruar nga gjendja e tyre që të ndajnë dy dhoma me një kuzhinë. Tema në fjalë është nxjerrë nga libri i autorit Enrico Giusti (drejtor i Muzeut të Matematikës në Firence) dhe është përshtatur për skenën nga Andrea Angelo Savelli, regjisor që interesohet prej vitesh mbi lidhjen e teatrit dhe shkencës.
P. GROSI

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›