Mëhilli: Bojkoti, rruga e vetme e mbijetesës së Ramës në politikë
Reagojnë demokratët pas vendimit të grupit të PS-së për të bojkotuar Parlamentin. "Edi Rama, humbësi i zgjedhjeve të 28 qershorit, shpalli publikisht bojkotin e Parlamentit të paralajmëruar me dhjetëra e dhjetëra herë dy muajt e fundit, si rrugën e vetme të mbijetesës së tij politike", u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. Pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PS-së, erdhi i menjëhershëm reagimi i kampit blu. "Partia Demokratike, duke denoncuar këtë qëndrim të tij, informon shqiptarët se me këtë vendim tërësisht në funksion të karrierës së tij politike, Edi Rama ka si qëllim të vetëm bllokimin e procesit të heqjes së vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke dëmtuar në këtë mënyrë qindra e mijëra të rinj shqiptarë që presin me padurim të lëvizin të lirë në Europë dhe duke ndëshkuar qindra e mijëra familjarë që po me aq padurim presin të lëvizin të lirë drejt fëmijëve dhe familjarëve të tyre në emigracion", tha Mëhilli. Sipas saj, "me vendimin e sotëm, Edi Rama faktoi se është i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe normë morale njerëzore dhe se për interesa të veta personale është i gatshëm të marrë çdo lloj vendimi në dëm të qytetarëve shqiptarë". PD ka bërë edhe një herë thirrje për bashkëpunim luajal me opozitën dhe nëpërmjet deklaratës për shtyp informon se vendimet e kampit socialist nuk do të pengojnë procesin e heqjes së vizave. "PD ka besim të plotë se Bashkimi Europian këtyre qëndrimeve primitive do t‘u përgjigjet me të njëjtin qëndrim siç iu përgjigj bilbilave dhe borive që Rama futi në Parlament për të bllokuar firmosjen e MSA-së dhe BE-së", u shpreh Mëhilli.