Mëhilli: Edi Rama shpif, trillon dhe mashtron çdo ditë në këtë fushatë elektorale

PD-ja ka akuzuar dje për shpifje dhe trillime, kreun e PS-ës dhe kandidatët për deputetë të kësaj partie. “Dy ditë më parë zëdhënësi i tij për Vlorën, Toçi, u tha shqiptarëve se rruga që u ndërtua nuk i duhet kujt, mbasi qeveria e Kosovës nuk ka ndërmend të ndërtojë pjesën tjetër të rrugës, duke marrë përsipër të shpifë dhe trillojë, pavarësisht deklaratave të përsëritura të Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Thaçi se projekti është gati dhe se rruga do të fillojë. Madje, Toçi tha edhe se tuneli lidh Kukësin me Tiranën dhe jo Prishtinën me Tiranën. Ndërsa dje, zëdhënësja tjetër e tij Kodheli deklaroi se pagat e arsimtarëve nuk janë më shumë se 270 mijë lekë, ndërkohë që sot nuk ka mësues që firmos në bordero rrogën e tij nën 400 mijë lekë. Po kjo zëdhënëse deklaroi se granti për Pogradecin, dhënë nga qeveria e PD-së është zero, duke përgënjeshtruar kështu deklaratat e përsëritura të kryetarit të bashkisë së Pogradecit për mbështetjen që qeveria ka bërë për qytetin e tij, ku vetëm grandi i pakushtëzuar është trefishuar dhe se vetëm qyteti i Pogradecit, në sajë të mbështetjes së qeverisë, ka përfituar dhjetëra milionë euro investime në mjedis, infrastrukturë, kanalizime, mbetje urbane dhe mjedis”, deklaroi dhje zëdhënësja e PD-ës, në një konferencë shtypi. “Fushata elektorale me shpifje e mashtrime do të marrë ndëshkimin e merituar më 28 qershor”, përfundoi zëdhënësja e PD-së.
...