Mëhilli: PD është duke mirëpritur opozitën të zërë vendin e saj në Parlament

Tiranë, 22 janar NOA Zëdhënësja e Partisë
Demokratike, Erla Mëhilli doli sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës
u shpreh se PD vlerëson kërkesën e rezolutës së KE-së për hyrjen e opozitës në
Parlament dhe se është e gatshme për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar
për zgjedhjet.
Një projekt rezolutë e Këshillit të Evropës, e
botuar më datë 17 dhjetor, e cila i kërkon në mënyrën më të prerë opozitës të
hyjë në Parlament dhe qeverise të krijojë Komision Hetimor Parlamentar,
po përdoret nga Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e bllokut si një
argument për doktrinën e tyre të revolucionit permanent të mosnjohjes së
Kushtetutës, Parlamentit dhe institucioneve të vendit.
Duke e keqinterpretuar rezolutën, e cila
denoncon bojkotin në çdo paragraf të saj dhe kërkon njohjen dhe
respektimin e institucioneve, Edvin Kristaq Rama dhe suita e bllokmeneve të
rinj bazuar në doktrinën e revolucionit permanent, shpallën se fajin nuk e ka
bojkoti por e kanë institucionet, të cilat duhet ti binden vullnetit të Ramës
dhe siç deklaroi ai mbrëmë në monologun e tij, qoftë edhe me dhunë tha Mëhilli.
Nëse Rama, ftesat e përsëritura për dialog
për Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar zgjedhjet i merr si një provë
dobësie dhe si një mundësi për të lëshuar kërcënime bajate njëra mbas tjetrës
na duhet ti rikujtojmë se rendi kushtetues dhe shteti ligjor janë sot më të
fortë se kurrë në historinë e tyre.
Në rast se këto kërcënime Rama i ka lëshuar
për të detyruar deputetet e tij që të humbasin mandatet duke mos bërë betimin e
duke munguar 6 muaj kjo është çështja e tyre e brendshme shtoi më tej Mëhilli
e cila theksoi se PD është duke mirëpritur që deputetët socialist të zënë vendet
e tyre në Parlament.
k.k/NOA