Regjistrimi, Athina konfirmoi presionin
Godo: Referendumi, zgjidhja më e mirë. Dade: Një regjistrim i tillë, jo i nevojshëm
Reagimin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Gregory Delavekouras, për domosdoshmërinë e regjistrimit të popullit shqiptar në bazë të etnisë dhe fesë, republikani Sabri Godo dhe socialistja Arta Dade e kanë parë në mënyra të ndryshme. Në një prononcim për “Shqip”, Godo thekson se ky reagim vjen pasi vetë Greqia i ka bërë presion qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë sipas këtyre parametrave. Por, nga ana tjetër, deputetja e PS-së, Dade, thekson se reagimi i palës greke nuk duhet paragjykuar, pasi në mënyrë të herëpashershme ky shtet ka treguar interes të madh për minoritetin e tij në Shqipëri. Por ajo çfarë bien dakord Godo dhe Dade lidhet me faktin se ky lloj regjistrimi nuk është i nevojshëm në kushtet ku ndodhet Shqipëria, ku nuk ekzistojnë problemet me minoritetin apo përkatësinë fetare.
Sabri Godo
Reagimi i tyre vjen për faktin se janë ata të cilët kanë ushtruar presion për të bërë këtë lloj regjistrimi. Kjo është më se e qartë dhe tani duhet të dëgjohen mirë të gjithë ata që kanë bërë objeksione për këtë çështje. Kam thënë se e vetmja zgjidhje e mirë do të ishte të gjenden format për t’iu drejtuar opinionit publik. Tashmë duhet pyetur vetë opinioni publik nëse e do këtë lloj regjistrimi apo jo. Kështu, një nga format për të marrë mendimin e opinionit janë sondazhet me kampione sa më të gjera në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, referendumi do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë çështje. Por unë besoj se do të pranohet ideja e referendumit, duke qenë se ai ka shpenzime dhe kërkon mekanizmat e veta. Nuk ma merr mendja se kjo nismë për mbajtjen e një referendumi do të përkrahej nga Parlamenti dhe Presidenti, ndonëse do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë çështje. Por në pamundësi të këtij referendumi është e domosdoshme që organizata jo qeveritare të pavarura të bëjnë sondazhe për këtë çështje dhe po kështu qeveria duhet t’i pranojë këto sondazhe.
Arta Dade
Regjistrimi i popullatës në çdo vend është një gjë e domosdoshme, aq më tepër kur kalon një periudhë siç ka kaluar në Shqipëri, afro 10 vjet nga regjistrimi i fundit. Lidhur me deklarimin personal për sa i përket fesë apo kombësisë besoj se është një debat që është bërë para 10 vjetësh dhe atëherë u dhanë disa argumente dhe qeveria e atëhershme, hoqi dorë nga kjo nismë nisur nga disa kërkesa. Këto kërkesa erdhën nga parti të ndryshme apo grupe sociale, të cilat kërkuan heqjen e kërkesave të etnisë dhe fesë për procesin e regjistrimit. Argumentet e asaj kohe ishin që mjaft shqiptarë, duke dashur të zgjidhnin çështje ekonomike, kanë qenë dakord të ndryshojnë edhe kombësinë edhe emrin dhe padyshim kanë ndryshuar edhe fenë. Ky padyshim që ka qenë një argument që u mor në konsideratë dhe u mendua që ky regjistrim të mos përfshinte përkatësinë fetare dhe etninë. Lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar në këto 10 vjet, unë mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë, madje përsëri kemi një varfëri më të madhe se në të shkuarën, ka ndryshuar fakti se mjaft elementë që duan të spekulojnë politikisht kanë spekuluar edhe në drejtim të përkatësisë lidhur me etninë dhe këto janë të njohura për opinionin publik. Unë besoj se nuk është domosdoshmëri që në një regjistrim popullsie të përfshihet edhe përkatësia fetare dhe etnike, edhe për arsyen sepse Shqipëria është një shtet mjaft specifik për sa i përket faktit të njohur botërisht se ka një tolerancë fetare të admirueshme. Gjatë kohës së diktaturës, edhe shumë më parë, në Shqipëri ka pasur martesa mikse, domethënë midis individëve të feve të ndryshme dhe për këtë arsye fëmijët e lindur nga këto martesa e kanë pasur gjithmonë e më të vështirë të përcaktonin se kujt feje i takojnë. Kjo mund të konsiderohet një vlerë dhe në këtë kuptim, nuk kanë pse të detyrohen shtetasit të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare. Në qoftë se kjo do të ishte sipas dëshirës së individit, normalisht kjo do të ishte më se normale. Në këtë kuadër them se metodika nëpërmjet së cilës do të bëhet regjistrimi ka shumë rëndësi. Po kështu, shumë rëndësi ka që ky proces të kryhet nga njerëz që nuk kanë konflikt interesash dhe që janë të civilizuar dhe të besueshëm. Kjo në mënyrë që individët të mos detyrohen që për një shkak apo për një tjetër të shprehin atë çfarë ndjejnë në lidhje me fenë, lidhur edhe me kombësinë që po kështu është një çështje shumë delikate. Dihet që gjatë periudhës së tranzicionit, shqiptarët kanë qenë të detyruar të ndryshojnë fenë apo emrin, për shkak të varfërisë së tyre për të gjetur një dalje nga kjo varfëri. Kjo është një dukuri e kritikueshme, por në kushtet e një gjendje ekonomike të tejskajshme, individët janë të detyruar ta bëjnë edhe këtë gjë. Kjo praktikë nuk është e nevojshme, edhe për faktin se Shqipëria nuk ka pasur probleme me pakicat etnike dhe aq më pak me fenë. Por nisur nga fakti se kjo çështje tashmë ka marrë rrugë, të paktën të evitohen imponimet në linjën e atyre që do e bëjnë këtë regjistrim. Deklaratat e zëdhënësit të Ministritë të Jashtëm unë nuk i paragjykoj, nisur edhe nga fakti se ata kanë pasur vazhdimisht vëmendje për minoritetin grek dhe dua të përsëris se është e rëndësishme që në këtë proces të mos ketë presione dhe të mos ketë deformime të realitetit. Dihet që në pjesën e minoritetit grek, edhe nga kontaktet që unë kam pasur nisur edhe nga fakti se jam deputete e Gjirokastrës, në fshatrat që janë vërtet të banuara nga minoriteti grek, një pjesë e madhe janë larguar dhe punojnë në Greqi. çdo shtet ka të drejtë të interesohet për minoritetin e vet dhe në këtë kuadër pala greke bën detyrën e saj. Por duhet të respektohen të gjitha organizmat, ku dy vendet bëjnë pjesë dhe kriteret ligjore përkatëse.
#