Lame: Dokumentet do tua jap institucioneve, le të veprojnë
Intervista
Zoti Lame, përse nisët të hetonit për origjinën e pronësisë së kësaj godine historike?Fare rastësisht, duke kërkuar në Bibliotekën Kombëtare për disa dokumente, ndesha në një nga vendimet e para të ndërmarra nga qeveria shqiptare për financimin e ndërtimit të vilës së Durrësit. Më tërhoqi vëmendjen si fakt dhe duke u thelluar hap pas hapi, zbulova se ekzistonte një dokument i jashtëzakonshëm për këtë investim publik të shtetit shqiptar dhe m’u duk absurde se si e gjithë administrata shtetërore e sotme kishte mbyllur sytë dhe kishte bërë sikur nuk dinte asgjë për këtë.
çfarë dokumentesh ju ranë në dorë së pari?
Dokumentet mund t’i shohë kushdo, edhe gjatë këtij investigimi, por dua të theksoj diçka tjetër. Gjithçka, çdo investim, çdo blerje, ekziston e regjistruar në dosjet që ruhen në Arkivin e Shtetit, Arkivin e Ndërtimit dhe Bibliotekën Kombëtare. Dhe këtu flasim për dokumente të përpara 70 apo 80 vjetëve. Dëshira për të zhdukur gjurmët ndoshta shpjegon edhe faktin që sa herë ka trazira, “përkujdesja” e parë është djegia e hipotekave apo arkivave.
Pas publikimit të këtyre dokumenteve, çfarë keni ndërmend të bëni për këtë çështje?
Unë do të pres që cilido prej institucioneve që ne shqiptarët i paguajmë për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët, të vijë të më trokasë e të më kërkojë shpjegime rreth çështjes. E kam fjalën këtu për Avokatin e Shtetit, për Prokurorinë, apo edhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Pra, ju vetë nuk do të bëni kallëzim për këtë, që po t’i referohemi shkrimit tuaj, është një vjedhje e pasurisë publike?
Shiko! Ligji detyron çdo qytetar që është në dijeni të një krimi ta denoncojë atë. Megjithatë, unë jam thjesht i bindur që kjo pronë e jona e përbashkët është tjetërsuar, por nuk jam i bindur nëse organi shtetëror që e ka tjetërsuar atë, ka qenë apo jo në dijeni të këtyre dokumenteve. Prandaj frenohem ta quaj vjedhje. Meqenëse nuk do të doja të flitej në këto terma, po e marr vetë nismën, duke ju përcjellë nga një kopje të dokumentacionit, institucioneve që përmenda më sipër. U takon atyre t’u rikthejnë shqiptarëve një prej shenjave të së kaluarës sonë të përbashkët.
#