E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dhe Lajcak vlerësojnë marrëdhëniet dypalëshe

Tiranë, 22 janar NOA - Presidenti i
Republikës, Bamir Topi priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë,
Miroslav Lajçak dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij
zyrtare në vendin tonë.Kryetari i Shtetit bëri një pasqyrë e shkurtër të arritjeve të Shqipërisë në
rrugën e saj të integrimit euroatlantik, duke u ndalur tek angazhimi ynë serioz
në NATO, si dhe bashkëpunimi me BE-në, sidomos sa u përket hapave të ndërmarrë
për liberalizimin e vizave.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Lajçak vuri
në dukje se vizita e takime të këtij niveli i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm
të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë në të gjitha fushat.

Lajçak shprehu bindjen që shkëmbimi i vizitave
në nivelet më të larta do të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen e afërt.
Në kuadrin e përmbushjes së aspiratave integruese të vendit tonë, Ministri
Lajçak theksoi se Sllovakia jo vetëm që i mbështet plotësisht këto ambicie, por
është e gatshme të ofrojë edhe përvojën e saj integruese, e cila është e re,
pozitive dhe e rrallë si dhe ekspertizën dhe shkëmbimet mes ekspertëve.

Në këtë drejtim Ministri sllovak vuri në dukje
përshtypjet e mira të vizitës së tij në qendrën e lëshimit të kartave të
identitetit dhe pasaportave biometrike duke e cilësuar këtë si një certifikatë
shumë e mirë për mundësimin sa më të shpejtë të liberalizimit të regjimit të
vizave për qytetarët shqiptarë.
k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›