OKB, 2 milionë dollarë për regjistrimin
Më 2011-n Shqipëria pritet të ketë statistika të reja për popullatën dhe banesat
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë i ofroi dje Institutit të Statistikave pajisje me vlerë të përgjithshme prej 2 milionë dollarësh falas për procesin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës dhe banesave që pritet të kryhet në vitin 2011. Në një ceremoni të posaçme, drejtuesja e Misionit të OKB-së në Shqipëri, Gulden Turkoz Cosslett, nënshkroi kontratën për financimin me drejtoreshën e INSTAT-it, Ines Nurja. “Siç e dini INSTAT-i po përgatitet të bëjë regjistrimin e popullsisë dhe banesave në vitin 2011. Puna më e madhe përgatitore për këtë event kaq të rëndësishëm është viti 2010, ku do të realizohen një sërë aktivitetesh përgatitore dhe do të ngrihet e gjithë baza materiale e logjistike për të kryer një regjistrim sa më të suksesshëm të popullsisë në vitin 2011”, tha Nurja. INSTAT-i ka përfituar fonde nga qeveria shqiptare, Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë. “Sot do të inaugurojmë një nga investimet më cilësore, që ka të bëjë me ngritjen e sistemin të dixhitalizimit të të dhënave, duke përdorur hartat dixhitale nëpërmjet sistemit të informimit gjeografik”, vijoi më tej Nurja. “Këto pajisje do të përdoren nga sektori i hartografisë së INSTAT-it dhe me ndihmën e tyre INSTAT-i do të ketë mundësi të konvertojë hartat e regjistrimit në një bazë të dhënash hartografike të regjistrimit të popullsisë, pra dixhitalizimin e hartave të zonave të regjistrimit, të procesojë dhe të kodojë të dhënat dhe të përpilojë e prodhojë harta me mbulim të gjerë”, deklaroi Gulden Turkoz Cosslett. Regjistrimi është një proces që kryhet një herë në dhjetë vjet dhe synon të zbulojë gjendjen faktike të popullatës dhe banesës vetëm për qëllime statistikore, në një ditë të caktuar të përzgjedhur rastësisht. Të dhënat që do të raportojnë qytetarët në këtë regjistrim janë të mbuluara nga ligji i privacisë dhe do të konsiderohen si informacione tërësisht konfidenciale. Sipas qeverisë shqiptare, këtë herë në pyetësor do të përfshihen edhe pyetje mbi përkatësinë etnike e fetare të popullatës, gjë që nuk është zbatuar më parë. Përgjigjet mbi etninë që shqiptarët do të japin, nuk do të kenë pasoja ligjore. Pra, nëse një shqiptar do të deklarohet i një kombësie tjetër, kombësia e tij ligjore që është e shënuar te regjistri i popullatës që mbahet nga Ministria e Brendshme, nuk do të ndryshojë. Regjistrimi nuk përfshin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, por vetëm ata që do të gjenden në Shqipëri në ditën e regjistrimit. Regjistrimi do të grumbullojë të dhëna edhe për numrin e banesave dhe sipërfaqet e tyre, pa marrë parasysh nëse këto banesa janë me leje apo pa leje. Në regjistrimin e fundit të këtij lloji, të kryer në 1 prill 2001, në Shqipëri rezultuan se jetonin 3 milionë vetë në rreth 560 mijë shtëpi.
#