E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: PS frikë nga ligji antimafia

TIRANE- Partia Demokratike reagoi menjëherë pas kundërshtimit që i bëri opozita ligjit antimafia.
Në një reagim, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli theksoi se frika nga ligji anti – mafia i Partisë Socialiste është një shenjë ndjellakeqëse e madhe për këtë Parti po edhe për vendin.

“Nuk ka vend në botë ku opozita të ngrihet e të mos kërkojë forcimin e ligjit anti – mafia, si një kusht kryesor për luftën kundër krimit të organizuar. Protesta e sotme e opozitës për këtë ligj është paradoksi më i madh i qëndrimit të saj. I rikujtojmë opozitës se ky është një ligj i kërkuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të liberalizimit të vizave”, tha Mëhilli.

Sipas saj, ky është një ligj i hartuar nga ekspertët më të mirë shqiptarë dhe evropian dhe ky ligj është aktiv në shumicën e vendeve antare të BE-së. “Ligji anti – mafia synon të godasë vetëm pasuritë dhe ekonominë kriminale dhe të garantojë plotësisht jetën dhe aktivitetin e bizneseve dhe qytetarëve të tjerë të vendit”, përfundon deklarata.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›